FSK-në s’e lë KFOR-i të marrë kompetenca policore

Prishtinë, 3 qershor – Ministri i FSK-së, Agim Çeku, ka vendosur që të heshtë rreth projektmemorandumit të ministrisë së tij dhe asaj të Punëve të Brendshme, e cila do të mundësonte përdorimin e Forcës së Sigurisë për t`i kontrolluar turmat dhe protestat e mundshme. 
Gazeta ka provuar gjatë gjithë ditës që të bjerë në kontakt me ministrin, por janë përgjigjur këshilltarët e tij, të cilët nuk janë prezantuar dhe kanë thënë se “ministri nuk është i gatshëm të flasë për projektmemorandumin”. 

Çeku këshillon EULEX-in të angazhohet në veri, ku lulëzon krimi

Podgoricë, 3 qershor  - Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Agim Çeku, në intervistën TV "Vijesti" të Podgoricës, të cilën e transmeton QIK-u, ka kritikuar efektin e EULEX-it, duke i bërë thirrje që të angazhohet më shumë në veri të Kosovës, siç tha, "në tokën e askujt, ku lulëzon krimi i organizuar".
Sipas Çekut, misioni BE-së "nuk ka dhënë rezultate të pritura", sepse për tri vjet "askush nuk është arrestuar" për krim të organizuar dhe korrupsion.

Serbisë i duhet shpejt ndonjë marrëveshje me Kosovën

Bruksel, 3 qershor – Brenda dy javësh priten edhe rezultatet e para konkrete të dialogut mes Serbisë dhe Kosovës që tash e sa muaj zhvillohen në Bruksel me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Diplomatët në BE-së pohojnë se kjo do të ndodhë pikërisht tash, sepse Serbia ka nevojë për të dëshmuar se është duke u sjellë në mënyrë konstruktive në dialog, në mënyrë që opinioni i Komisionit Evropian të jetë tërësisht pozitiv më 12 tetor dhe deri në fund të vitit Serbia të marrë jo vetëm statusin e kandidatit, por menjëherë edhe datën për nisjen e negociatave.

Injorimi i humbjeve të asistencës financiare, rrezik enorm


Instituti Riinvest në Prishtinë ka shprehur shqetësim për qëndrueshmërinë financiare dhe perspektivën ekonomike të Kosovës, pas deklaratës së Fondit Monetar Ndërkombëtar për ridizajnimin e marrëdhënieve me Kosovën.
Nëpërmjet një komunikate për media, instituti Riinvest thotë se humbja e asistencës financiare për vitin 2011, “do të krijoj nevojën e financimit të deficitit nga bilanci bankar i mbledhur nëpër vite, duke e bërë kështu Kosovën vend jolikuid në përmbushjen e obligimeve financiare në periudhën afatmesme”.

Opozita, Thaçit: Mblidhi shokët e jep dorëheqje


Në përmbyllje të 100-ditëshit të parë të punës, Qeveria e Kosovës është përballur me kërkesën e deputetëve opozitarë për dorëheqje. Pasi që kanë vlerësuar se nuk ka pasur asnjë punë, asnjë zhvillim, vetëm degradim të qeverisjes dhe kulturës së punës, deputetët e opozitës në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës të premten kanë kërkuar nga kryeministri dhe nga kabineti qeveritar që të japin dorëheqje dhe të lëshojnë rrugën për një qeverisje më të mirë.

Mlladiq: Jam shumë i sëmurë!


Ish-gjenerali serbo-boshnjak, Ratko Mlladiq, ka dale të premten për herë të parë përballë Gjykatës së Hagës. Në paraqitjen e tij të parë, Mlladiq tha se është “njeri shumë i sëmurë” dhe ka refuzuar të deklarohet lidhur me “akuzat e papranueshme”, për akuzat për gjenocid, për krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit.
Gjyqtari kryesues, Alfons Ori, e ka caktuar datën e re për deklarim për fajësinë më 4 korrik.

Kryeqyteti me shumë gropa!


Vit për vit janë duke u rregulluar rrugë në kryeqytet, por në to shumë shpejt po “mbijnë” gropat. Qytetarët fajësojnë kompanitë të cilat po e shtrojnë shtresën e asfaltit sa për sy e faqe. Njazi Selimi, i cili banon në rrugën “Xhavit Ahmeti”, ankohet se kjo rrugë nuk ka shumë kohë që është rregulluar, por nga gropat e shumta është bërë gati e pakalueshme.

Sekiraqa arratiset nga Irlanda?


Dyshohet se një nga personat më të kërkuar nga drejtësia kosovare, Enver Sekiraqa, sërish është në arrati. Deri më tash ishte njoftuar për mundësinë e identifikimit të tij nga policia irlandeze dhe se i njëjti ndodhej në arrest shtëpiak.
Kjo kishte bërë që Ministria e Drejtësisë së Kosovës, menjëherë të nis drejt Irlandës dosjen e tij me anë të së cilës kërkohet që ky person të ekstradohet. Derisa kjo kërkesë u është dorëzuar autoriteteve irlandeze në fund të vitit të kaluar, në Prishtinë, së paku publikisht, nuk është pranuar asnjëherë se ata kanë marrë përgjigje zyrtare.
Por ndërkohë, burime të Expressit në Prishtinë, tregojnë se i shumëkërkuari Enver Sekiraqa, tashmë ndodhet sërish në arrati. Pa qenë në gjendje të japin detaje të mënyrës së arratisjes së këtij personi i cili akuzohet për vepra të rënda penale, burime të gazetës tregojnë se Sekiraqa është arratisur sërish.

Mlladiç, sot do japë llogari në Hagë

Ish gjenerali serb, Ratko Mlladiç i cili akuzohet për krime lufte në Bosnje Hercegovinë sot do dalë para Hagës për t’u gjykuar.

EULEX-i konfirmon aktakuzën kundër 7 personave


Gjykatësi për konfirmim i EULEX-it nga Gjykata Komunale në Pejë konfirmoi aktakuzën kundër shtatë të akuzuarve për krim të organizuar, kidnapim dhe përdorim të paautorizuar të armëve.
Sipas komunikatës së lëshuar nga misioni evropian bëhet fjalë për Bedri Krasniqin, Dervish Idrizajn, Hamdi Krasniqin, Ahmet Nezirajn, Ilmi Lufajn, Hime Krasniqin dhe Selman Gashin.

Zveçan, sulmohet vetura e policisë së Kosovës


Një makinë zyrtare e Policisë së Kosovës, është sulmuar me gurë, ditën e mërkurën, rreth orës 15:00, në rrugën magjistrale Mitrovicë – Leposaviq, në fshatin Rudare të Zveçanit. Zyrtari për informim publik në Mitrovicë, toger Besim Hoti, ka njoftuar se një automjet zyrtar, me shenja të dukshme të Policisë së Kosovës, është sulmuar me gurë në rrugën magjistrale Mitrovicë – Leposaviq, në fshatin Rudare të Zveçanit.
Sipas tij, rasti i dëmtimit është regjistruar rreth orës 15:00, kurse tre zyrtarët policorë, dy serbë e një i përkatësisë etnike shqiptar, nga radhët e njësisë së trafikut rajonal të Mitrovicës, kanë njoftuar për rastin e sulmit me gurë mbi pronën e policisë së Kosovës.

Aksidentalisht humb jetën vajza dyvjeçare


Në fshatin Petrovë të enjten në mëngjes tragjikisht ka pësuar një vogëlushe dyvjeçare. Ajo ka pësuar derisa babai dhe xhaxhai i saj po ngarkonin në kamionetë një rrethojë pusi prej druri.
Policia nuk ka dhënë shumë hollësi rreth kësaj tragjedie familjare me arsyetim se rrethanat e aksidentit fatal janë duke u hetuar.
Sipas deklaratave të familjarëve, aksidenti fatal ka ndodhur rreth orës 8.30 minuta, ka njoftuar toger Agim Gashi, zëdhënës rajonal i Policisë.
Gashi ka nënvizuar se vajza dyvjeçare, sipas hetimeve të para, ishte aksidentuar për vdekje, pasi rrethoja prej druri e pusit, kishte rrëshqitur nga automjeti në të cilin po e ngarkonin babai dhe xhaxhai i saj, duke e zënë përfundi vajzën e pafat”.
Fëmija menjëherë ishte dërguar për trajtim në ambulancën e Shtimes, por mjekët vetëm kishin konstatuar vdekjen, pasi ajo kishte arritur pa shenja jete.
Me rastin është duke u marrë Prokuroria e Qarkut në Prishtinë. Trupi i pajetë u është dorëzuar familjarëve.

Stefanoviq vazhdon të mos përjashtojë asgjë nga dialogu


Kreu i ekipit serb në bisedimet me Kosovën, Borisllav Stefanoviq, tha se hapat e njëanshëm të Prishtinës, si arrestimi i biznesmenëve dhe zhvendosja e komandantëve të policisë në veri të Kosovës, mund të ndikojnë negativisht edhe në dialog, edhe në atmosferë.
Këto komente, ai i bëri gjatë qëndrimit në veri të Mitrovicës dhe Zveçan.
I pyetur nëse veriu do të jetë temë e raundeve të ardhshme të bisedimeve, Stefanoviq tha: "Ne e kemi thënë disa herë se jemi të gatshëm të bisedojmë për të gjitha temat në mënyrë të hapur dhe konstruktive, në përpjekje për të gjetur zgjidhje për të gjitha çështjet".

Rahovec, arrestohen 7 zyrtarë mjekësorë


Hetuesit policorë nga drejtoria për hetimin e krimeve ekonomike dhe korrupsionit, të enjten pasdite, kanë arrestuar shtatë persona nën dyshimin e bazuar se kanë kryer veprat penale Shpërdorim i detyrës zyrtare nga neni 339 dhe Përvetësimi gjatë ushtrimit të detyrës nga neni 340 i Kodit Penal të Kosovës.
Sipas një njoftimi të Policisë së Kosovës, thuhet se të gjithë të dyshuarit kanë qenë punonjës në qendrën klinike mjekësore familjare (QKMF), në Rahovec të cilët janë arrestuar nga ana e hetuesve policorë.
Të arrestuarit janë Ejup Z., 1960, Avdyl H., 1962, Rexhep V., 1954, Agim E., 1975, Fatmir D., 1972, Selajdin R., 1962 dhe Shani V., i lindur më 1959.

Mustafa: Në krye të qeverisë, njerëz të paskrupullt


Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa e vlerësoi të dështuar qeverisjen 100 ditëshe të kryeministrit Hashim Thaçi, duke theksuar se në krye të kësaj qeverie ka njerëz të paskrupullt, të cilët tentojnë të mashtrojnë për çdo gjë.
Këto komente, Mustafa i bëri në një konferencë për media për vlerësimin e punës së Qeverisë së Kosovës.
Sipas tij, Qeveria Thaçi është qeveri e prangave, që synon gjithçka për veten dhe që nuk ka përmbushur asnjë nga premtimet që i ka bërë.

Tadiq për zgjidhje të re për Kosovën


Presidenti serb Boris Tadiq tha se janë të nevojshëm “hapa të pazakontë” në politikën e Serbisë ndaj Kosovës, për të shtuar se ekziston shansi për “një zgjidhje të re”.
Ai vlerësoi se mënyra se si Beogradi zyrtar e ka trajtuar çështjen e Kosovës në të kaluarën ishte “në kundërshtim me interesat e serbëve dhe të popullit serb”.

Vazhdon greva e ish luftetarve te uçk-ës

Vazhdon greva e Ish-luftëtarët e UCK-së në të cilët kanë hyrë sot në ditën e tretë të grevës së urisë, me kushtet shëndetësore të rënduara.

Editë, kopjet mohojnë shtetësinë


Prishtina zyrtare akoma nuk është e vendosur nëse do t’i pranojë apo jo nga Serbia kopjet e regjistrave civilë, që janë marrë nga regjimi i Milloshviqit pas përfundimit të luftës në vitin1999.
Shefja e delegacionit kosovar në bisedimet me Serbinë, Edita Tahiri, sërish nuk e përjashton mundësinë që në kuadër të një marrëveshjeje eventuale, të pranohen edhe kopjet e regjistrave civilë. Ndërsa, ekspertët e çështjeve civile dhe profesorët kosovarë e konsiderojnë veprim jo të logjikshëm, madje të disfavorshëm nëse Kosova i pranon kopjet.

Daçiq: Kosovën, ta ndajmë me Shqipërinë


Zëvendëskryeministri serb, Ivica Daçiq, njëherësh ministër i Punëve të Brendshme, ka thënë se Serbia ka bërë gabim të madh, ngase për Kosovën nuk ka biseduar me Shqipërinë, ndërsa sërish ka potencuar se Kosova duhet të ndahet midis Serbisë dhe Shqipërisë.

Ndarja e Kosovës do ta përfshinte gjithë ish-Jugosllavinë


Raportuesi i Parlamentit evropian për Serbinë, Jelko Kacin ka thënë në një intervistë për Radio Dukagjinin se hapjen e idesë së ndarjes nuk e sheh si nismë relevante, pasi kjo nuk do të rrezikonte vetëm një shtet por të gjitha shtetet ish Jugosllavisë, apo ato shtet që kanë dalë nga kjo federatë.
Ai ka vlerësuar se pas shpërbërjes së ish Jugosllavisë, nuk ka pasur asnjë ndryshim të kufijve të brendshëm të shteteve që janë krijuar nga kjo federatë.