Hetuesit policorë nga drejtoria për hetimin e krimeve ekonomike dhe korrupsionit, të enjten pasdite, kanë arrestuar shtatë persona nën dyshimin e bazuar se kanë kryer veprat penale Shpërdorim i detyrës zyrtare nga neni 339 dhe Përvetësimi gjatë ushtrimit të detyrës nga neni 340 i Kodit Penal të Kosovës.
Sipas një njoftimi të Policisë së Kosovës, thuhet se të gjithë të dyshuarit kanë qenë punonjës në qendrën klinike mjekësore familjare (QKMF), në Rahovec të cilët janë arrestuar nga ana e hetuesve policorë.
Të arrestuarit janë Ejup Z., 1960, Avdyl H., 1962, Rexhep V., 1954, Agim E., 1975, Fatmir D., 1972, Selajdin R., 1962 dhe Shani V., i lindur më 1959.
Policia njofton se hetimet lidhur me këtë rast kanë filluar muaj më parë dhe njësiti hetimor në Prizren, gjatë hetimeve të zhvilluara ka siguruar prova të mjaftueshme se të dyshuarit, dyshohet se kanë kryer veprat penale, kështu duke shpërdoruar detyrën zyrtare në mënyra të ndryshme.
Ata dyshohet se kanë bërë shpërdorim me derivate, duke marrë derivate për nevoja private, kanë kryer shitje të pajisjeve mjekësore nga automjeti i emergjencës (pajisje aparati
EKG, defibrilator monitor dhe pajisjet përcjellëse), kanë shitur pajisje të rëntgenit, kanë graduar punëtorët pa kritere më parë të përcaktuara si dhe kanë kryer pagesa për punë jashtë orarit të punës (kujdestaritë të cilat janë dhënë në kundërshtim me rregulloren).
Hetimet në lidhje me këtë rast janë duke vazhduar ndërkohë në konsultim me prokurorin publik të Qarkut në Prizren të gjithë të dyshuarve ju është caktuar masa e ndalimit policor prej 48 orësh.