Stefanoviq vazhdon të mos përjashtojë asgjë nga dialogu


Kreu i ekipit serb në bisedimet me Kosovën, Borisllav Stefanoviq, tha se hapat e njëanshëm të Prishtinës, si arrestimi i biznesmenëve dhe zhvendosja e komandantëve të policisë në veri të Kosovës, mund të ndikojnë negativisht edhe në dialog, edhe në atmosferë.
Këto komente, ai i bëri gjatë qëndrimit në veri të Mitrovicës dhe Zveçan.
I pyetur nëse veriu do të jetë temë e raundeve të ardhshme të bisedimeve, Stefanoviq tha: "Ne e kemi thënë disa herë se jemi të gatshëm të bisedojmë për të gjitha temat në mënyrë të hapur dhe konstruktive, në përpjekje për të gjetur zgjidhje për të gjitha çështjet".

"E kemi të qartë se disa gjëra më të vështira do të vijnë më vonë, por në çdo rast Beogradi është i gatshëm të bisedojë për çdo gjë", ka thënë Stefanoviq. 
Marrëveshjet e para konkrete - më 14 dhe 15 qershor
Shefi i ekipit negociues serb, Borisllav Stefanoviq ka deklaruar se bisedimet me Prishtinë kanë hyrë në fazën e arritjes së marrëveshjeve të para konkrete të cilat duhet pritur që më 14 dhe 15 qershor.
“Presim që rezultatet e para të negociatave të jenë marrëveshjet për lirinë e lëvizjes, për kadastrën dhe librat amzë. Për zgjidhjet që propozojmë kemi marrë mbështetjen e komunitetit ndërkombëtar”, ka thënë Stefanoviq duke folur në Këshillin parlamentar për Kosovën në Kuvendin e Serbisë.
Por Stefanoviq ka theksuar se asgjë nuk është arritur, si dhe që vizita e paradokohshme e shefes së diplomacisë evropiane Catherine Ashton “nuk ka lidhje me konkretizimin e marrëveshjes”.
Sipas tij, çdo marrëveshje do të implentohet vetëm nëpërmjet vendimit të qeverisë. Stefanoviq ka shprehur bindjen se edhe veriu i Kosovës herët a vonë do të jetë në rend dite.