Në fshatin Petrovë të enjten në mëngjes tragjikisht ka pësuar një vogëlushe dyvjeçare. Ajo ka pësuar derisa babai dhe xhaxhai i saj po ngarkonin në kamionetë një rrethojë pusi prej druri.
Policia nuk ka dhënë shumë hollësi rreth kësaj tragjedie familjare me arsyetim se rrethanat e aksidentit fatal janë duke u hetuar.
Sipas deklaratave të familjarëve, aksidenti fatal ka ndodhur rreth orës 8.30 minuta, ka njoftuar toger Agim Gashi, zëdhënës rajonal i Policisë.
Gashi ka nënvizuar se vajza dyvjeçare, sipas hetimeve të para, ishte aksidentuar për vdekje, pasi rrethoja prej druri e pusit, kishte rrëshqitur nga automjeti në të cilin po e ngarkonin babai dhe xhaxhai i saj, duke e zënë përfundi vajzën e pafat”.
Fëmija menjëherë ishte dërguar për trajtim në ambulancën e Shtimes, por mjekët vetëm kishin konstatuar vdekjen, pasi ajo kishte arritur pa shenja jete.
Me rastin është duke u marrë Prokuroria e Qarkut në Prishtinë. Trupi i pajetë u është dorëzuar familjarëve.