Zveçan, sulmohet vetura e policisë së Kosovës


Një makinë zyrtare e Policisë së Kosovës, është sulmuar me gurë, ditën e mërkurën, rreth orës 15:00, në rrugën magjistrale Mitrovicë – Leposaviq, në fshatin Rudare të Zveçanit. Zyrtari për informim publik në Mitrovicë, toger Besim Hoti, ka njoftuar se një automjet zyrtar, me shenja të dukshme të Policisë së Kosovës, është sulmuar me gurë në rrugën magjistrale Mitrovicë – Leposaviq, në fshatin Rudare të Zveçanit.
Sipas tij, rasti i dëmtimit është regjistruar rreth orës 15:00, kurse tre zyrtarët policorë, dy serbë e një i përkatësisë etnike shqiptar, nga radhët e njësisë së trafikut rajonal të Mitrovicës, kanë njoftuar për rastin e sulmit me gurë mbi pronën e policisë së Kosovës.

“Së paku dy persona të panjohur, kanë sulmuar automjetin tonë me gurë, në kohën kur makina ishte në lëvizje, kurse të dyshuarit janë larguar me vrap në drejtim të panjohur”, kanë thënë zyrtarët policorë. Sipas tyre, janë regjistruar dëme materiale në parafangon dhe në krahun e djathtë të pasmë të automjetit policor si rezultat i goditjes me gurë.
Deri më tani, nuk është raportuar për identifikim të personave të dyshimtë të përfshirë në këtë
akt kriminal, kurse është bërë përshkrimi fizik i sulmuesve të mundshëm. Rasti është regjistruar në polici si vepër penale e sulmit ndaj personave zyrtarë dhe dëmtim të pronës së luajtshme në bazë të kodit penal të Kosovës.
Hetuesit rajonalë të Policisë së Kosovës janë duke u marrë me ndjekjen e hetimeve të këtij rasti për gjetjen eventuale të sulmuesve.