Si gamerkë nën hijen e minoritetit të gjinisë femërore të involvuara në industrinë e lojërave… në Kosovë nuk është e pazakontë e as e çuditshme të ndjehesh si Waldo. Të gjithë duket se janë në kërkim tëndin – qoftë meshkujt që të të “martojnë”, ose femrat tjera që të “vërtetojnë që nuk janë të vetmet” – mëqenëse të rrallë janë ata që besojnë në një fenomen të tillë. Në një komunitet ku të jesh i pazakontë shkon paralel me nivelin e mbrapshtisë së individit në fjalë… rinisë tonë nuk u mbetet zgjidhje tjetër përpos mbyllja në vetvete dhe përjashtimi i dëshirave personale që nuk janë në përputhje me standardet e shoqërisë. Lojërat si koncept gjithmonë kanë synuar të thejnë standardet. Ato të bëjnë njeri tjetër; të japin emër, prapavijë, nxitin mendime e ndjenja, pasion, dashuri, virtyte – të prezentojnë një botë tjetër të cilën e bëjnë gjithmonë e më të manipulueshme, e në jetën e përditshme njerëzit gjithnjë e më shumë humbin kontrollin. Lojërat kanë guxim të trajtojnë tema kontroversiale – duke të bërë TY pjesë të një bote kontroversiale. Ato kanë guxim të testojnë durimin e reziliencën tonë; lojërat JANË guxim i mishëruar, tentimi në një realitet të imagjinuar dhe trajtimi i tij pikërisht prej perspektivës së parë (ose të tretë). Tërheqja ynë natyrale rreth eksperiencave të tilla nuk është fare e habitshme ose e papjekur – loja ka qenë pjesë e jetës tonë qysh në kohërat e njerëzve të parë: gjuetia! Çka me të vërtetë është për t’u mallkuar është aftësia e shoqërisë tonë të mbysin dhe moralisht dënojnë dëshira ose aspirata në lidhje me to. Personalisht, kur për herë të parë (dikund rreth vitit 2000) hyra fshehtas në dhomën e vëllaut për të ndezur PC-në e tij dhe ndeza lojën e parë në jetën time (Hitman Codename 47), ajo u bë imazh i përjetshëm në mendjen time. Imagjinata nuk kishte më të ndalur – isha e bindur që gjithçka ishte e mundur – e nga aty e pashë që kisha ku t’e derdhja dhe kultivoja. Shpikja lojëra në mendjen time dhe gjeja shoqëri që t’i luaja me ta… derisa u rrita, e obligimet më erdhen si me postë. Lojërat u shuan, jeta vazhdoj e imagjinata ngeci. Derisa ktheva vëmendjen tek pasioni i humbur.
Our little corner...
Nuk është plotësisht e quditshme që fenomeni i internet caffe-ve është ende dukuri e zhurmshme dhe prezente në jetërat e rinisë të Kosovës, shumica e madhe të gjinisë mashkullore. Ndonëse rinia ynë në përgjithësi është e ngujuar brenda shpirtërave të tyre, femrat kanë presion më të madh brenda tyre për t’ju përshtatur standardeve të para-caktuara. Përderisa unë si gamer(e) nuk e ndaja dëshirën të shkoja në këto lokale me moshatarët tjerë, e kuptoja nevojën të mbledheshin grumbull në dhomë të errët e të izoluar nga bota e jashtme që ofronte pak e hiç varietet në aspektin e argëtimit. Në ato dhoma të errëta, të pa-kondicionuara e as të kontrolluara nga pirja e duhanit, ata mund të silleshin si komunitet. Këto dhoma hapnin dyert tek eksperienca në botërat nga më të çmendurat, deri tek eksperienca relaksuese ose miqësore që luhen në mesin e shoqërisë. Njerëz me interesa të përbashkëta, shoqëri e krijuar saje dëshirave të njejta – jo të kritikuar ose përjashtuar nga standardet, por të bashkuar në mision të njejtë. Dhoma ku lirisht mund të eksplodon agresiviteti, bërtimat; çlirim emocional e psiqik në mesin e të njohurve e të huajve. Kënaqësi në fitore, e ngushëllim në humbje… një komunitet veprues ku sapo futesh brenda tij e kupton që je brenda një dynjaje tjetër (ndoshta prap jo ideale). Që aty të pret një familje kontroversiale, e lirë në mendime dhe veprime (të paktën brenda atyre mureve). Fillimisht mendoja që isha e vetmja. Në mesin e shoqërisë time dukej se isha e vetmja me guximin të kërkoja komunitet/shoqëri ku diskutohen tema konstruktive, ideja ambicioze, ku imagjinata lulëzon nga këmbimi i ideve ambicioze, diskutimeve konstruktive e mendimeve të lira. Tani këto komunitete i kemi ngujuar brenda internet caffe-ve në gjendje të mjerueshme. Përse të demonizohet një koncept i këtillë kur ka potencial të bashkoj shpirtëra pa dallim feje, gjinie ose race? Përse të injorohet një medium i cili qysh prej fillimit të egzistencës së njeriut na ka shtyrë të ecim përpara, që puna të mos jetë vetëm punë por edhe argetuese? Çfarë ka banale në konceptin e diçkaje që kërkon bashkim, ndarje të ideve e mendimeve, manifestim të imagjinatës së pakontrolluar të njeriut? Nuk e di as unë. Gjithë çka mbetet të thuhet është shpresa që dikur do dëgjohet zëri i këtij komuniteti të ngujuar…
Disa shajnë e disa brohoritin...