Më se 6 milionë njerëz në botë vdesin nga pirja e duhanit dhe ekspozimi ndaj tymit të tij, që nënkupton se çdo 6 sekonda vdes një person. Shifrat e Organizatës Botërore e Shëndetësisë janë bërë publike në vigjilje të ditës botërore kundër duhanit që është 31 maji.
Sipas ekspertëve, këtë vit epidemia e duhanit do të vrasë gati gjashtë milion njerëz, duke përfshirë më shumë se 600.000 jo-duhanpirësit që do të gjejnë vdekjen vetëm prej thithjes në mënyrë pasive të tymit të duhanit.
OBSH, përmes shifrave të dhëna, bën me dije se ka ende shumë punë për uljen e numrit të miliona vdekjeve të parakohshme që lidhen posaçërisht me pirjen apo thithjen e tymit vdekjeprurës. Njëra nga masat është rritja e taksave të duhanit.
Ndërkaq, duke iu referuar studimit për duhanpirjen, shqiptarët renditen populli i dytë në Evropë. Studimi i Institutit të Shëndetit Publik saktëson se shifrat e personave duhanpirës janë në rritje duke nënvizuar se tashmë mbi 40 për qind e popullsisë shqiptare rezulton se është duhanpirëse.
Deri më tani, në Shqipëri numërohen rreth 895 mijë duhanpirës, ku më shumë se 265 mijë prej tyre janë femra.
ISHP bën me dije se sipas përllogaritjeve 895 mijë duhanpirës të rregullt konsumojnë mesatarisht 19.7 cigare në ditë, që nënkupton se ata shpenzojnë 1.4 milionë USD në ditë për të blerë cigare.
Sipas ISHP-së vazhdon të rritet numri i femrave duhanpirëse, ndërkohë që ulet numri i meshkujve duhanpirës. Ndërsa në Evropë femrat që tymosin duhanin zënë 21 për qind, në Shqipëri zënë 8 për qind të totalit të personave duhanpirës.