Serbisë i duhet shpejt ndonjë marrëveshje me Kosovën

Bruksel, 3 qershor – Brenda dy javësh priten edhe rezultatet e para konkrete të dialogut mes Serbisë dhe Kosovës që tash e sa muaj zhvillohen në Bruksel me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Diplomatët në BE-së pohojnë se kjo do të ndodhë pikërisht tash, sepse Serbia ka nevojë për të dëshmuar se është duke u sjellë në mënyrë konstruktive në dialog, në mënyrë që opinioni i Komisionit Evropian të jetë tërësisht pozitiv më 12 tetor dhe deri në fund të vitit Serbia të marrë jo vetëm statusin e kandidatit, por menjëherë edhe datën për nisjen e negociatave.
“Kosova tashmë ka dhënë pëlqimin për marrëveshje në disa pika, ndërsa Beogradi ka kërkuar më shumë kohë për konsultime. Por Beogradi po e kupton se duhet të dëshmojë konstruktivitet po ashtu, prandaj mendojmë se ka gjasa të mira që, nëse jo në mesin e qershorit, atëherë gjithsesi para pushimeve të verës të kemi edhe rezultatet e para konkrete në dialog“ i ka thënë “Kohës Ditore” një diplomat i BE-së.
Sipas burimeve diplomatike, Britania e Madhe tashmë i ka dërguar një letër Komisionit Evropian, përmes kanaleve diplomatike, ku shprehet se “sjellja konstruktive“ e Beogradit në dialog me Kosovën do të duhej të ishte “me rëndësi kyç“ për përpilimin e mendimit të Komisionit Evropian për kandidaturën e Serbisë. Njëlloj thuhet se mendojnë edhe Gjermania dhe Franca dhe se ky qëndrim tashmë i është bërë i ditur Beogradit.
“Serbia ka arrestuar gjeneralin Ratko Mladiq me çka është hequr një pengesë e madhe për të shpejtuar rrugën e integrimit të Serbisë në BE. Tash ka mbetur që të dëshmohet konstruktivitet në rastin e Kosovës. Serbia edhe deri me tash ka qenë konstruktive dhe vetë shefja e delegacionit të Kosovës, Edita Tahiri, ka pasur fjalë të mira për sjelljen e deritashme të Serbisë. Prandaj shpresojmë të shohim shpejt edhe rezultatet e para konkrete në dialog dhe që Serbia të mos e lëshojë këtë rast që ka për të marrë statusin e kandidatit”, tha një diplomat i lartë i një vendi të BE-së.
Por pyetjes se çfarë do të mundë të përfitojë Kosova nga sjellja konstruktive në dialog, ai nuk iu përgjigj në mënyrë të prerë, përveçse tha: “Kjo do të ndihmojë edhe Kosovën në të ardhmen dhe çdo rezultat do të jetë në të mirë të qytetarëve të Kosovës“.
Diplomati në fjalë konfirmoi se “në këtë fazë, derisa të zgjasë dialogu, nuk do të kërkohet nga palët që të ndryshojnë qëndrimet e tyre rreth statusit të Kosovës“.
Është evidente për shumë diplomatë se, përderisa për Serbinë dihet se çfarë mund të përfitojë në cilin moment, për Kosovën ende nuk ka ndonjë vizion formal konkret. Problemi qëndron në faktin se Kosovës nuk mund t’i premtohen marrëdhënie kontraktuale me BE-në, përpos nëse Kosova pranon që kjo të bëhet sipas Rezolutës 1244, ndërsa disa vende, që në fakt janë mbështetëse të mëdha të Kosovës në BE - si Franca, Holanda dhe Belgjika - nuk duan as të dëgjojnë për çfarëdo mundësie të nisjes së procesit të liberalizimit të vizave me Kosovën. As premtimet e para dy vjetësh për Marrëveshje të tregtisë së lirë nuk janë realizuar nga BE-ja, ndërkohë që Kosova ka mbetur po ashtu edhe pa preferenca tregtare nga BE-ja të cilat i kishte gëzuar kohë më parë.
“E kuptojmë se kosovarët kanë të drejtë të ndihen paksa të frustruar dhe të mendojnë se krejt ky dialog është nisur në këtë moment për të ndihmuar që Serbia të marrë statusin e kandidatit. Mund të jetë e vërtetë se dialogu së pari më së shumti do t’i ndihmojë Beogradit në rrugën drejt BE-së, por në një fazë më afatgjate, pas disa vitesh, mund t’i ndihmoj’ edhe Kosovës:, thotë një diplomat evropian.
E pyetjes se çfarë mund të jetë dobia e menjëhershme e dialogut për kosovarët ky diplomatë, pa ironi, iu përgjigj: “Do të jetë rezultat i mirë për të gjithë nëse një bujk nga Kosova do të mund të shesë speca dhe domate në Serbi sikur edhe një qytetar nga Serbia në Kosovë“.
“Në kemi thënë disa herë se duam me dialog të arrijmë zgjidhje praktike për qytetarët dhe ndoshta dikujt sot i duken shumë të parëndësishme çështjet si shitja e specave dhe domateve, por për qytetarët këto janë gjëra jetike”, tha ai.
Komisioni Evropian ndërkohë është në fazën e draftimit të mendimit për Serbinë i cili do të miratohet dhe do të bëhet publik më 12 tetor, të njëjtën ditë kur do të paraqiten edhe Raportet e Progresit për të gjitha vendet e rajonit. Nëse Serbia vazhdon të sillet në mënyrë konstruktive rreth Kosovës atëherë pritet që opinioni për Serbinë të jetë jashtëzakonisht pozitiv. 
“Të gjitha vendet e rajonit, me përjashtim të Shqipërisë, mund të presin raporte me pozitive sesa vitin e shkuar. Në rastin e Kosovës do të mund të ketë kritika të ashpra për gjendjen e mediave, për parregullsitë në zgjedhje, por edhe Kosova mund të lavdërohet për sjellje konstruktive në dialog me Beogradin”, i tha gazetës një diplomat evropian i cili konfirmoi se brenda BE-së nuk ka asnjë lëvizje nga ana e kundërshtarëve të pavarësisë së Kosovës, të cilat ende vazhdojnë të insistojnë që BE-ja në asnjë mënyrë të mos e trajtojë Kosovën si shtet.
“Paramendojeni - ata nuk duan as që Kosova të quhet si kandidate potenciale”, thotë një diplomat tjetër, i cili pranon se për momentin dialogu nuk ka ndikuar fare në ndryshimin e qëndrimeve të vendeve të BE-së që nuk e njohin pavarësinë. “Po ndodh e kundërta, ato vende ndihen të inkurajuara, sepse po mendojnë se duke mos e njohur Kosovën i kanë kontribuar dialogut”, thonë diplomatët.
Ndërkaq, diplomatë nga disa vende të BE-së që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës thonë se edhe nga nëpunës të Zyrës së Përfaqësueses së lartë Catherine Ashton, të përfshirë në ndërmjetësim të dialogut, kanë marrë porosi se është mirë që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, sepse në këtë mënyrë e ndihmojnë rolin e BE-së në rajon si një aktor “neutral ndaj statusit”.