LG prezanton kompjuter all-in-one 3D


LG në “Computex” ka prezantuar kompjuterin all-in-one V300 i dedikuar më së shumti për adhuruesit multimedialë, pasi vjen me ekran 23 inç Full HD i ndjeshëm në prekje, me ndriçim të pasmë LED.
Po ashtu, ekrani mbështet edhe shfaqjen 3D dhe për kënaqësi në foto në tre dimensione, nevojiten syze shtesë, çka me këtë kompjuter vijnë dy palë. Pasi bëhet fjalë për ekran të ndjeshëm në prekje, LG në të ka të instaluar softuerin i cili është i përshtatur me një navigacion të tillë.

Sa i përket opsioneve harduerike të LG V300, ata do të vijnë me procesorë të Intel-it Sandy Bridge – Core i3, i5 dhe i7, do të kenë deri në 8GB DDR3 RAM, grafikë 1GB Radeon HD 6650M dhe hard-disk me kapacitet deri në 750 GB.
Përdoruesit mund të zgjedhin mes DVD dhe Blu-ray, ndërsa opsionet tjera përfshijnë edhe ueb-kamerën 720p, mbështetjen për Bluetooth, lexuesin e kartelave të memories, portet për USB 2.0 dhe 3.0, TV tuner dhe HDMI 1.4. Çmimi i tij ende nuk dihet, ndërsa në shitje del në korrik.