Ish-gjenerali serbo-boshnjak, Ratko Mlladiq, ka dale të premten për herë të parë përballë Gjykatës së Hagës. Në paraqitjen e tij të parë, Mlladiq tha se është “njeri shumë i sëmurë” dhe ka refuzuar të deklarohet lidhur me “akuzat e papranueshme”, për akuzat për gjenocid, për krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit.
Gjyqtari kryesues, Alfons Ori, e ka caktuar datën e re për deklarim për fajësinë më 4 korrik.
I pyetur nga gjyqtari Ori se a i kupton të drejtat e tij si i akuzuar i Tribunalit të Hagës për krime të luftës në ish Jugosllavi, Ratko Mlladiq tha se është njeri shumë i sëmurë dhe se i duhet më tepër kohë për t’i kuptuar akuzat.
“Nuk dëshiroj të më lexohet aktakuza në asnjë fjalë dhe në asnjë fjali”, tha Ratko Mlladiq.
Mlladiq u arrestua javën e shkuar në Serbi pas 16 vjetësh arrati, ndërsa kërkohej nga drejtësia ndërkombëtare për krimet e kryera gjatë luftës së Bosnjës nga viti 1992 deri në vitin 1995.
Ndërkaq, avokati mbrojtës i Mlladiq, thotë se ai është i sëmurë nga kanceri, por doktorët bënë me dije se ish-gjenerali ishte në gjendje të dilte para gjykatës.
Mlladiq akuzohet si autor i masakrës së Srebrenicës, ku mbetën të vrarë 8 mijë djem dhe burra myslimanë. Po ashtu drejtësia e akuzon Mlladiq për gjenocid, persekutim, vrasje, deportim, akte çnjerëzore, terror, pengmarrje me qëllim zhdukjen e myslimanëve nga territoret boshnjake.