Vit për vit janë duke u rregulluar rrugë në kryeqytet, por në to shumë shpejt po “mbijnë” gropat. Qytetarët fajësojnë kompanitë të cilat po e shtrojnë shtresën e asfaltit sa për sy e faqe. Njazi Selimi, i cili banon në rrugën “Xhavit Ahmeti”, ankohet se kjo rrugë nuk ka shumë kohë që është rregulluar, por nga gropat e shumta është bërë gati e pakalueshme.
“Pa kaluar mirë një vit, rruga prishet. Padyshim, kush tjetër e ka fajin përveç kompania që i bën punët shkel e shko. Më keq nuk bëhet. Është bërë gati e pakalueshme jo vetëm për shoferë por edhe për këmbësorë“, tha Selimi.
Ai derisa flet ashtu i nervozuar për prishjen e rrugës, i gëzohet faktit që në rrugën e tij ka filluar mbulimi i gropave. “Ka dy-tri ditë që i kam parë tek kanë filluar me mbulimin e gropave. Shpresoj se do ta bëjnë si duhet dhe nuk do të kemi më probleme. Por një gjë e di sigurt se një gjë e “arrnuar” nuk do të qëndrojë gjatë”, u shpreh ai.
Njëjtë shprehet edhe një qytetar tjetër. “Nuk e di se si po i lejon Komuna rrugët kështu. Është turp për një kryeqytet të shëmtohet për disa gjëra të vogla që mund të rregullohen vetëm me pak më shumë kujdes. Gropat që janë paraqitur menjëherë pas dimrit, po të intervenohej menjëherë nuk do të dukeshin kështu. Tani edhe sikur të ndahen kush e di sa e sa mija euro nuk do të jenë të mjaftueshme pasi që janë bërë shumë”, tha Ahmet Berisha.
Tenderin për sanimin e gropave e ka fituar kompania “Strassen Tiefbau” nga Ferizaj. Zëdhënësi komunal, Muhamet Gashi, thotë se në kuadër të këtyre mjeteve “do të hyjnë edhe disa rrugica dhe rrugë të vogla në lagje të ndryshme të kryeqytetit”. Punët për sanimin e gropave, sipas tij, janë duke shkuar sipas planifikimeve.
Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, në Kuvendin e Prishtinës, Shemsi Veseli, thotë se vlera e kontratës së kompanisë fituese nuk është e lartë. “Duke u bazuar se sa rrugë ka Prishtina dhe në kualitetin e dobët të materialit, shuma prej 224 mijë euro nuk është shumë”, tha Veseli.
Ai akuzon Komunës se po kontrakton kompani të afërta me zyrtarët komunalë. “Kontraktohen kompani që janë të afërta më autoritetet komunale. Ka raste, për të cilat kam njohuri, që edhe kontrollin teknik e bëjnë njerëz që janë të afërt me kompanitë. Kjo lë të nënkuptohet që aty nuk ka cilësi, materiali është shumë i dobët, dhe pas tërë kësaj normal se numri i gropave rritet”, thotë ai.
Veseli me një “siguri të madhe” thotë se kompanitë që po fitojnë tenderët përgjithësisht janë të njëjtat dhe kjo rezulton pastaj me punë “sa për sy e faqe”.
Në planin buxhetor për vitin 2011, Komuna ka paraparë të shpenzojë 3 milionë e 424 mijë euro për ndërtimin e rrugëve në pjesët urbane të qytetit që përfshin asfaltimin, kanalizimin dhe infrastrukturën përcjellëse.