Sekiraqa arratiset nga Irlanda?


Dyshohet se një nga personat më të kërkuar nga drejtësia kosovare, Enver Sekiraqa, sërish është në arrati. Deri më tash ishte njoftuar për mundësinë e identifikimit të tij nga policia irlandeze dhe se i njëjti ndodhej në arrest shtëpiak.
Kjo kishte bërë që Ministria e Drejtësisë së Kosovës, menjëherë të nis drejt Irlandës dosjen e tij me anë të së cilës kërkohet që ky person të ekstradohet. Derisa kjo kërkesë u është dorëzuar autoriteteve irlandeze në fund të vitit të kaluar, në Prishtinë, së paku publikisht, nuk është pranuar asnjëherë se ata kanë marrë përgjigje zyrtare.
Por ndërkohë, burime të Expressit në Prishtinë, tregojnë se i shumëkërkuari Enver Sekiraqa, tashmë ndodhet sërish në arrati. Pa qenë në gjendje të japin detaje të mënyrës së arratisjes së këtij personi i cili akuzohet për vepra të rënda penale, burime të gazetës tregojnë se Sekiraqa është arratisur sërish.

Gazeta ka kontaktuar zyrtarë të Shërbimit Kombëtar të Policisë së Irlandës, të cilët nuk pranojnë të flasin fare në lidhje me këtë rast.
“Ne nuk mund të komentojmë rastet individuale”, është përgjigja e vetme që jep një nga zëdhënësit e kësaj policie.
Pavarësisht shpjegimit se për cilin rast bëhet fjalë dhe kërkesës për të konfirmuar ose jo një arratisje të tillë, zyrtari irlandez përsërit përgjigjen e njëjtë. Pak a shumë, kështu thonë edhe zyrtarë të ndryshëm në Prishtinë të cilët janë të përfshirë direkt ose indirekt në procese të tilla.
Veton Elshani nga zyra për marrëdhënie ndërkombëtare në Policinë e Kosovës, kur pyetet për këtë rast, drejton gishtin nga Ministria e Drejtësisë. “Pyesni në Ministrinë e Drejtësisë”, thotë shkurt Elshani. Por në këtë dikaster, nuk kanë asnjë përgjigje, pavarësisht se kërkesën për ekstradim të Enver Sekiraqes e kanë dërguar në Irlandë më shumë se pesë muaj më parë.
Vigan Qorolli, shef i kabinetit të Ministrit të Drejtësisë, thotë se deri më tash nuk kanë marrë asnjë informacion nga autoritetet irlandeze. “Ne kemi dërguar dokumentet përkatëse për ekstradim, por nuk kemi marrë asnjë informacion, përfshirë edhe këtë që pyesni ju se ai mund të jetë arratisur”, thotë Qorolli për Express.
Në nëntor të vitit të kaluar, policia e Irlandës ka arrestuar një person me emrin Enver Sekiraqa. Ata kishin nisur të kryejnë formalitetet ligjore për të vërtetuar nëse i arrestuari ishte personi i njëjtë që kërkohet nga Policia e Kosovës. Ndalimi i tij ishte bërë për shkak të flet arrestit ndërkombëtar, të lëshuar nga Prishtina zyrtare, përmes Administratës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë(UNMIK).
Emri i Enver Sekiraqes ndodhet në faqen zyrtare te Interpolit që nga viti 2007, dhe i njëjti përshkruhet si person mjaft i rrezikshëm mbi të cilin rëndojnë dyshime për shumë vepra të rënda penale. Autoritetet policore të Kosovës janë në kërkim të Enver Sekariqas që nga viti 2007, pas vrasjes së policit Triumf Riza, në gusht të atij viti.
Sekiraqa, i kërkuar nga Interpoli akuzohet gjithashtu dhe për një sërë veprash të tjera penale, si anëtar i krimit të organizuar ndërkombëtar, abuzime seksuale, vrasje dhe plagosje. Ai nga mediat irlandeze është përshkruar si “bosi i bosëve”, për krimin e organizuar në Kosovë.
Interpoli
Sipas të dhënave të paraqitura në faqen zyrtare të Interpolit, Enver Sekiraqa, është i lindur me 18 nëntor 1973 (37-vjeç), në Prishtinë. Ai është i gjatë 1.83 cm kurse kërkohet me dyshimin se ka kryer veprat penale të krimit të organizuar ndërkombëtar, vjedhje, krime seksuale etj. Fletarresti ndërkombëtar është lëshuar në vitin 2007, nga ish UNMIK-u.