Ndarja e Kosovës do ta përfshinte gjithë ish-Jugosllavinë


Raportuesi i Parlamentit evropian për Serbinë, Jelko Kacin ka thënë në një intervistë për Radio Dukagjinin se hapjen e idesë së ndarjes nuk e sheh si nismë relevante, pasi kjo nuk do të rrezikonte vetëm një shtet por të gjitha shtetet ish Jugosllavisë, apo ato shtet që kanë dalë nga kjo federatë.
Ai ka vlerësuar se pas shpërbërjes së ish Jugosllavisë, nuk ka pasur asnjë ndryshim të kufijve të brendshëm të shteteve që janë krijuar nga kjo federatë.

“Kjo është arsyeja pse unë besoj se çdo ndarje e shteteve të krijuara rishtazi nga ish Jugosllavia nuk do të rrezikojë vetëm një shtet por të gjitha shtetet e ish Jugosllavisë apo ato shtet që kanë dalë nga kjo federatë”, ka thwnw Kacin, raporton Telegrafi.
Hapja e këtyre temave, ku ndërlidhet Kosova, sipas Kacin, mund të jetë bumerang për Bosnjën e Hercegovinë, Serbinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë. “Të jem i sinqertë këtë ide nuk e shoh si nismë relevante”, është shprehur Kacin.
Ndërkaq, duke u përgjigjur rreth ideve për shkëmbim të territoreve në mes të Kosovës dhe Serbisë, raportuesi i PE-së për Serbinë tha se “janë disa propozime dhe ide që unë do t’i quaja si reagim kur dikush përmend mundësinë e ndarjes së Kosovës dhe kjo është pasojë e saj”.
“Unë nuk besoj në rikompozim të kufijve. Çdo prekjeje apo ndërhyrje reciproke në integritetin shtetëror do të ketë efekte të kthimit prapa në rrugën drejt të ardhmes. Kjo do të ishte edhe fundi i ëndrrës për anëtarësim në Bashkimin Evropian për këto vende.
Ajo që ne jemi duke e kërkuar është stabiliteti, produktiviteti dhe përmbushja e kritereve për anëtarësim. Prandaj çdo ide e tillë është kthim prapa nga realiteti, jo kthim në statusin e mëhershëm, por kthim në shekullin e XXI”.
Ndërsa, se a duhet Kosova ta braktisë dialogun nëse Serbia insiston që të hapet ideja e ndarjes, Kacin ka thënë se nuk ka nevojë që Prishtina ta braktis dialogun sepse ky proces është në interes të të dyja shteteve dhe të gjitha nacionaliteteve që jetojnë në këto dy shtete.