Me të ardhur në kufi ende pa u futur mirë në Kosovë, mërgata nis të “plaçkitet”. Secili person që vjen nga diaspora, në momentin kur vjen në Kosovë me veturë është i obliguar të paguajë policën e sigurimit, edhe nëse ka sigurim nga vendi që ai vjen. Sigurimet e vendeve të tjera nuk vlejnë në territorin e Republikës e Kosovës.
Zëdhënësi i Bankës Qendrore të Kosovës Besnik Kada thotë se çmimi i policave të sigurimit ndryshon varësisht prej periudhës se qëndrimit në Kosove dhe kapacitetit të automjetit.
“Që nga fundi i vitit 2009 deri tani, çmimet për sigurim kufitar janë ulur rreth 50 për qind. Një veturë me qëndrim në Kosove për një periudhë 15-ditore çmimi për sigurim kufitar është mesatarisht 30 euro”, tha ai.
( pra për 15 dite qëndrimi).
Makolli premton lehtësira
Ibrahim Makolli, ministër për Diasporën në Qeverinë e Kosovës, thotë se polica e sigurimit kufitar për veturat e huaja që vijnë në Kosovë është shumë e lartë e si e tillë ajo duhet të rishikohet.
“Ne si ministri e sapoformuar do ta rishikojmë këtë taksë, duke kontaktuar një nga një me të gjitha shtetet se a i përgjigjen dëmeve në rast të shkaktimit të aksidenteve në vendin tonë dhe nëse ata janë pro nuk ka nevojë të ekzistojë edhe më tutje kjo taksë”, tha për “Zërin” ministri Makolli.
Ai tha se nëse kjo taksë nuk njihet nga shtete të caktuara, ministria që ai drejton brenda një kohe të shkurtë do të bëjë çmos që ta zbresë këtë taksë.
Ministri Makolli tha se përpos zbritjes së taksës ministria do të shikojë mundësinë që taksa të paguhen në baza vjetorë, në mënyrë që mërgimtarët kur vijnë në Kosovë të mos kenë probleme të tilla.
“Taksa dekurajon bashkatdhetarët që të vijnë në Kosovë me vetura private. Ne do të kujdesemi që mërgimtarët tanë kur të vijnë në Kosovë të mos dëmtohen në asnjë moment. Kosova duhet të krijojë lehtësira e jo barriera për qytetarët e vet që jetojnë në shtete të ndryshme të botës”, shtoi ai.
Opozita reagon
Por, në anën tjetër përfaqësues të partive opozitare në Kuvendin e Kosovës thonë se pagesa e takës është një ngarkese e madhe për mërgimtaret tanë.
Zyrtarë të lëvizjes vetëvendosje kanë thënë se secili mërgimtar që vjen për pushime në Kosovë, paguan dy herë për sigurimin e automjeteve, një herë në vendin prej nga vjen dhe herën tjetër për kohën e qëndrimit në Kosovë. Sipas tyre, të dhënat nga Banka Qendrore e Kosovës tregojnë për të hyra milionëshe nga këto polica, derisa për kompensimin e dëmeve shpenzohen dhjetëfish më pak.
“Paratë që grumbullohen nga policat kufitare shtesë, që i paguajnë bashkatdhetarët tanë, ndahen në tre pjesë; një pjesë e madhe e tyre futen në fondin mbulimin e dëmeve të shkaktuara, pjesa tjetër shpërndahet tek kompanitë e sigurimeve dhe një pjesë përfundon në buxhetin e Kosovës” kanë thënë zyrtare të kësaj lëvizje.
Sipas tyre në vitin 2008 janë shitur gjithsej 153 mijë polica kufitare, prej nga janë realizuar 10.9 milionë euro. Nga kjo shumë për dëme janë paguar vetëm 1 milion euro.
Situatë e njëjtë ka qenë edhe në pesë mujorin e parë të vitit 2009. Sipas BQK-së, për këtë periudhë janë shitur mbi 37 mijë polica kufitare, janë realizuar 3 milionë euro. Për dëme janë paguar vetëm 400 mijë euro.