Instituti Riinvest në Prishtinë ka shprehur shqetësim për qëndrueshmërinë financiare dhe perspektivën ekonomike të Kosovës, pas deklaratës së Fondit Monetar Ndërkombëtar për ridizajnimin e marrëdhënieve me Kosovën.
Nëpërmjet një komunikate për media, instituti Riinvest thotë se humbja e asistencës financiare për vitin 2011, “do të krijoj nevojën e financimit të deficitit nga bilanci bankar i mbledhur nëpër vite, duke e bërë kështu Kosovën vend jolikuid në përmbushjen e obligimeve financiare në periudhën afatmesme”.
Ky institut kërkon nga institucionet shtetërore që t’i shqyrtojnë problemet e krijuara dhe mbi këtë bazë ta ndërtojnë një konsensus.
“Injorimi i humbjeve kaq madhore për vendin vë në rrezik enorm qëndrueshmërinë ekonomike të Kosovës”, thuhet në komunikatën e Institutit Riinvest.