Prishtina zyrtare akoma nuk është e vendosur nëse do t’i pranojë apo jo nga Serbia kopjet e regjistrave civilë, që janë marrë nga regjimi i Milloshviqit pas përfundimit të luftës në vitin1999.
Shefja e delegacionit kosovar në bisedimet me Serbinë, Edita Tahiri, sërish nuk e përjashton mundësinë që në kuadër të një marrëveshjeje eventuale, të pranohen edhe kopjet e regjistrave civilë. Ndërsa, ekspertët e çështjeve civile dhe profesorët kosovarë e konsiderojnë veprim jo të logjikshëm, madje të disfavorshëm nëse Kosova i pranon kopjet.
Sipas zëvendëskryeministres Tahiri, Serbia deri tani nuk e ka thënë fjalën e saj përfundimtare as për regjistrat e kopjuar e lëre më për ata origjinalë. Sipas saj, pala kosovare vazhdon të këmbëngulë që në Kosovë duhet të kthehen dokumentet origjinale që janë me përfundimin e luftës në Kosovë.
“Diskutimi për regjistrat civilë nuk ka përfunduar sepse pala serbe ka disa pengesa juridike të cilat duhet t’i tejkalojë. Duke qenë se ata ende nuk e kanë konfirmuar këtë, që kanë të bëjnë me ligjet që e përcaktojnë dhënien e dokumenteve, do të thotë se ende ka kontradikta dhe nuk është asgjë definitive”, ka thënë Tahiri.
(shkrimin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të së përditshmes “Zëri”)