Nuk thuhet kot se Amerika është vendi i mundësive dhe vendi i ëndrrave. Këtë patëm rastin ta mësojmë edhe ne kosovarët kur 12 brucoshë të Universiteteve nga 19 dhe 20 vjet të cilët e dashurojnë basketbollin erdhën nga SHBA-të dhe i dhanë shkollë përfaqësueses tonë se si luhet kjo lojë e cila tek e fundit edhe lindjen e ka në Amerikë.
Ndeshja në mes të universitarëve amerikan dhe përfaqësues sonë ishte treguesi më i mirë se në Kosovë gjithçka është minimale dhe se gjithçka është vetëm duke mbijetuar.
Djelmoshat amerikan shkatërruan “djelmoshat” e mbledhur nga Arben Krasniqi me hiq më pak se 49 pikë epërsi respektivisht 115:66.
Qysh në çerekun e parë u pa përgatitja dhe serioziteti i të rinjve amerikan për këtë lojë duke krijuar një epërsi prej 25 pikëve 41:16. Pas këtij çereku amerikanët u përkujdesën që të dhurojnë spektakël me ngulitje dhe pasime të shumta duke kënaqur të pranishmit në sall dhe mbi të gjitha veten e tyre të cilët dukeshin sikur ishin në qiellin e shtat përderisa po luanin.
Mbase kjo ndeshje tani do tu humbas interesimin shikuesve për të përcjellë ndeshjen e tretë finale të BKT Superligës mirëpo sidoqoftë edhe këtë humbje të thellë duhet shikuar në aspektin pozitiv.
Ishte e rëndësishme për ne që të shohim nga afër se si luhet basketboll dhe çfarë disipline duhet pasur e mbi të gjitha si duhet punuar. E rëndësishme ishte të shihet se çfarë është mirë dhe jo të gënjejmë veten se jemi në rrugë të duhur. Pas takimit trajneri Arben Krasniqi tha se e ka pritur një humbje mirëpo jo aq të thellë.
“Të them të drejtën e kam pritur një lojë të fortë mirëpo jo një humbje kaq të thellë. Mbase kanë ndikuar lodhja në ndeshjet e play-offit sidoqoftë unë prapë mendoj se ne kemi cilësi për të ardhmen”, tha Krasniqi.
Ndërsa në anën tjetër trajneri Tim Maloney falënderoi të gjithë popullin e Kosovës për një mikëpritje të ngrohtë.
“Për disa njerëz që vijnë nga New Yorku këtu dhe të hasin në një atmosferë kaq të ngrohtë kjo do të thotë shumë. Kemi qenë edhe në Greqi dhe në Maqedoni mirëpo këtu njerëzit janë fantastik. Sa i përket takimit mendoj se Kosovës i kanë munguar disa basketbollist kryesorë dhe rezultati ndoshta nuk është real”, përfundoi Maloney.
Kosova – NCAA 66:115
Kosova: Azemi 10, Rr. Grapci, F. Rugova 6, Kaçaniku 2, Sadiku 5, G. Rugova 2, Breca 5, Hajrizi, Iljazi 3, Veseli 7, Mazreku 24, Sinani 2. Përzgjedhës: Arben Krasniqi.
NCAA: Jueneman 5, Spradling 8, AJ Walton 19, Dufault 24, Wilbekin 6, Jefferson 12, Hall 10, Kitchwell 4, Mosley 20, Withey 7. Trajner: Tim Maloney.