Shefja e delegacionit kosovar në bisedime me palën serbe, Edita Tahiri, tha se reagimi mund të jetë një mesazh për Serbinë dhe botën se historia nuk do të harrohet, pavarësisht vullnetit të Kosovës për të shikuar kah e ardhmja.
“Reagimi që ndodhi ishte po ashtu një realitet, sepse reagimi i djeshëm i qytetarëve të Kosovës ishte reagim ndaj gjenocidit që Serbia ka bërë këtu gjatë luftës. Unë mendoj se ky ka qenë një mesazh edhe për vetë zotin Stefanovic, për Serbinë, por edhe për botën që shteti e populli mund të marrë vendim të shikojë përpara, porse historia nuk harrohet”, tha Tahiri për Radion Evropa e Lirë.
Zëvendëskryeministrja dhe kryesuesja e delegacionit kosovar në bisedimet me Serbinë shtoi se takimi me homologun serb është zhvilluar në cilësinë e përfaqësuesve të dy shteteve të barabarta, gjë që, sipas saj, është vënë re edhe në simbolet shtetërore të të dyja vendeve, të cilat janë vendosur në zyrën ku u zhvillua takimi.
Komentet për këtë çështje shefja e delegacionit kosovar në bisedime me Serbinë i bëri pas takimit përgatitor rreth bisedimeve teknike për çështjen e personave të pagjetur. Ajo njoftoi se Grupi Punues i Kosovës për persona të pagjetur është ngritur në nivel të grupit teknik, i cili tani e tutje do të marrë pjesë në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.