Kosovës t’i mundësohet prezenca në AP të OSBE-së!

Jakup Krasniqi
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi, ka pritur të premten në një takim delegacionin e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, të kryesuar nga ambasadori Roberto Battelli, përfaqësues special për Evropën Juglindore, kurse në përbërje të delegacionit ishin edhe Andreas Nothelle, përfaqësues special i AP të OSBE-së në Vjenë, Matteo Mecacci, raportues i Komitetit të Tretë, dhe Ëerner Almhofer, ambasador i OSBE-së në Prishtinë.

Kryeparlamentari falënderoi përfaqësuesit e OSBE-së për mbështetjen e vazhdueshme që kjo organizatë i ka dhënë dhe po i jep Kosovës, ndërsa kërkesë e veçantë e Krasniqit ishte që edhe Kosovës t’i mundësohet prezenca në Asamblenë e Përgjithshme të OSBE-së, fillimisht në cilësinë e vëzhguesit dhe më pas përmes anëtarësimit me të drejta të plota, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kuvendit për marrëdhënie me publikun.

Roberto Battelli theksoi se OSBE-ja është mike e tërë popullit të Kosovës dhe se i takon ekzekutivit të saj që t’i bëjë lëvizjet e nevojshme që mund të përfundojnë me një formë të pjesëmarrjes aktive të parlamentarëve të Kosovës në punën e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së.

Duke ofruar mbështetjen e OSBE-së për Kuvendin e Kosovës edhe në të ardhmen, Battelli dhe përfaqësuesit e tjerë të saj shfaqën interesimin për fillimin e punës në ndryshimin e Kushtetutës dhe sistemit zgjedhor në Kosovë, procesin e decentralizimit, të drejtat e komuniteteve pakicë, dialogun teknik ndërmjet Kosovës e Serbisë, e të tjera.