Në manifestimin e mbajtur në Prekaz, në manifestimin kushtuar Tahir e Nebih Mehajt, Jahjaga tha se ardhja në këtë Kullë të Drenicës na bën krenarë të gjithëve, sepse frymëzohen gjeneratat me atë që është histori e jona e lavdishme.
“Historia e Kosovës do të ishte krejt ndryshe nëse më 13 maj të vitit 1981 familja e Tahir e Nebih Mehës nuk do të qëndronte, nëse ajo nuk do ta kryente aktin e mbrojtjes së shtëpisë, të fytyrës dhe të nderit, që ishte akt i mbrojtjes kombëtare, vepër e dinjitetit të njeriut të kësaj treve, që armikut ia dha përgjigjen çfarë e meritonte prej kohës”, u shpreh presidentja.
“Tahir e Nebih Meha, ashtu si edhe të parët e kësaj familjeje, ashtu si edhe të parët e Drenicës, u bënë simbol për luftën e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që i solli lirinë e pavarësinë Kosovës, që i solli përkrahjen ndërkombëtare dhe intervenimin e NATO-s në sulmet ajrore kundër Serbisë, dhe përkrahjen e pakursyer të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, tha Jahjaga.
Ajo vlerësoi se duke i kujtuar e nderuar heronjtë e dëshmorët ne e nderojmë vetveten, ne i nderojmë vlerat më të larta të njeriut, ne nderojmë dhe e ndërtojmë të ardhmen.
Ndërkaq, Adem Demaçi, veprimtar i njohur i çështjes kombëtare vlerësoi tubimet e tilla për t’i bërë me dije rinisë se në çfarë furtunash e gjakderdhjes ka kaluar populli ynë, i cili nuk është përkulur asnjëherë. “Ngjarja e 13 majit të 81-shit ka rëndësi historike, sepse ishte një paralajmërim që shqiptarët dhe Drenica nuk e harruan kryengritjen e lavdishme as të Azem Galicës e as të Shaban Polluzhës”, tha ai.