Ai përsëriti se deklarata e ministri italian të mbrojtës, para disa jave, se do t’i tërheqin ushtarët e tyre nga Kosova, ka qenë vetëm një keqinterpretim i përkthimit të deklaratës, njofton KosovaLive.
“Forcat italiane do të largohen nga Kosova vetëm atëherë kur nga Kosova largohen të gjitha trupat tjera të NATO-s. Pra, ne do të ndjekim konceptin ‘të gjithë së bashku brenda, të gjithë së bashku jashtë’. Ne jemi në NATO dhe do të ndjekim rregullat e saj”, ka siguruar koloneli Emiliani, pas një takimi me kryetarin e Pejës, Ali Berisha, mbetjen e ushtarëve italian në misionin e tyre paqeruajtës në Kosovë, transmeton Koha.
Në këtë takim, oficeri italian ka shprehur kënaqësinë e tij edhe për situatën e mirë të sigurisë që po mbretëron në zonën e përgjegjësisë së tyre në pjesën perëndimore të vendit tonë, e posaçërisht për situatën e mirë të sigurisë në Pejë.
Ndërsa, komandanti i ri i forcave të KFOR-it në perëndim të Kosovës, koloneli Vincenzo Cipullo, i cili gjithashtu ishte i pranishëm në këtë takim përshëndetës të kolonelit Emiliani me strukturat e pushtetit lokal, tha se sfida kryesore e tij është vazhdimësia e mbrojtjes së situatës dhe të sigurisë në zonën e tyre të përgjegjësisë.
Sikur edhe paraardhësve të tij, edhe komandantit të ri të trupave shumëkombëshe perëndim, kreu i Pejës, Ali Berisha, i ofroi gjithashtu bashkëpunimin e institucioneve komunale për realizmin sa më të lehtë të misionit të tyre paqeruajtës.