Prishtina apo Kastrioti në Evropë


Këtë fundjavë zhvillohet java e parafundit e në hendbollin kosovar, kjo javë do të zbuloj skuadrën e dytë që do ta përfaqësojë Kosovën në garat evropiane. Këtë do ta sqarojë përballja ndërmjet Prishtinës e Kastriotit që zhvillohet këtë fundjavë në Prishtinë.
Sipas shënuesit më të mirë të skuadrës bardhekaltër, Shkëlzen Kërtoku, ata do të jenë skuadra fitimtare nga kjo ndeshje.
“Jemi të mobilizuar dhe presim fitore. Ky është një rast i mirë të sigurojmë pjesëmarrjen në kupat e EHF-it, kështu që do të zbresim në terren dhe do të japim atomin e fundit për të fituar”, tha Kërtoku.
Optimistë të mëdhenj para ndeshjes janë edhe ferizajasit. “Fillimisht do të them se nuk do të përsëritet ndeshja gjysmëfinale e Kupës që e humbëm me Prishtinën. Do të jetë një Kastriot tjetër dhe do të shihni sa të fortë jemi”, tha portieri i Kastriotit, Bardhyl Abazi, duke shtuar se kjo ndeshje ka peshë të rëndë, por ata janë skuadër që dinë të menaxhojnë mirë këto situata.
“Kjo ndeshje është dyfish e rëndësishme. E para me fitore shpallemi kampion, ndërsa e dytë hapet rruga për garat evropiane dhe ne nuk do të lëshojmë këtë rast”, përfundoi Abazi.
Në program këtë javë është edhe një ndeshje, ajo ndërmjet Kosovës e Drenicës. Në konkurrencën e femrave të gjitha ndeshjet zhvillohen të dielën ku takohen Kastrioti – Prishtina, Vëllaznimi - Shqiponjën, Drita – Kosova, Trepça këtë javë pushon.