Cana: 10 ditët e ardhshme vendimtare

Lajmet më të fundit që arrijnë nga Galatasaray bëjnë të ditur se me gjithë spekulimet për largimin e Lorik Canës, shqiptari do të vazhdojë të mbetet pjesë e gjigantit turk të futbollit. Ditët e fundit është shkruar për një inciativë të re të Lazios që të marrë në Romë, Canën, por situatën e tij e ka qartësuar për gazetën “Zëri” babai dhe këshilltari i parë i Lorikut, Agim Cana ish-futbollist i Prishtinës.


“Kemi pasur një takim pune me trajnerin e ri Fatih Terim. Ai është i vendosur të bëjë një skuadër të madhe dhe është duke këmbëngulur që Loriku assesi të mos largohet nga ekipi”, tha Cana “senior” nëpërmjet lidhjes telefonike nga Stambolli.
Në ndërkohë mesfushori shqiptar, siç bëjnë të ditur mediet turke, është hequr nga lista e lojtarëve të Galatasaray, të cilët do të shiten në afatin kalimtar veror. E sebep për mbetjen e Canës në Stamboll ka qenë trajneri i ri i ekipit, Fatih Terim.
“Imperatori” me marrjen e postit menjëherë i ka rekomanduar drejtuesve të klubit që Cana të mbetet dhe të refuzohen të gjitha ofertat që vijnë për të, pasi që ai llogaritë në shërbimet e mesfushorit shqiptar për stinorin e ardhshëm. “Cana është një lojtar në të cilin unë llogaris për stinorin e ardhshëm”, tha Terim.
Ditë më parë mediet turke kishin raportuar se Terim ka kërkuar nga drejtuesit e klubit që t’i lirojnë të gjithë lojtarët e huaj, pasi që ai mëton të ndërtojë një ekip të ri. Kjo deklaratë e trajnerit të ri të Galatasaray mund t’i japë fund spekulimeve për një largim eventual të Canës në drejtim të Lazios.
Megjithatë Agim Cana ka bërë të ditur se edhe emisarët nga Roma janë duke bërë përpjekje të vazhdueshme për përfundimin e bisedimeve.
“Jemi në kontakte të vazhdueshme edhe me zyrtarët italian, të cilët po bëjnë presion për të kryer punë. Çdo gjë mbetet e hapur dhe nuk mund të themi nëse do të mbetet Loriku në Galatasaray ose do të largohet. Krejt çfarë mund të them është se 10 ditët e ardhshme do të jenë vendimtare për stinorin e rij të ardhshëm”, tha Agim Cana.