Partitë opozitare kritikojnë vizitën e Jahjagës në Tetovë

Partitë politike shqiptare të opozitës e kanë kritikuar vizitën e paparalajmëruar të presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga në Tetovë.

Partitë opozitare nuk kanë dashur të japin qëndrimet zyrtare, mirëpo janë të irituara nga veprimi i tillë i një presidente të një vende, që vjen në një vizitë pa protokolle, pa paralajmërime dhe në mënyrë private në Maqedoni.
“Ju lutem s’kemi çka të diskutojmë, kjo është skandaloze, se si një presidente e një vendi vjen në këtë mënyrë fshehurazi dhe takohet me krerë të një parti, ku bëhet bujë mediale për atë parti në këtë fushatë zgjedhjesh. Kjo është e papranueshme dhe presidentja e Kosovës duhet të dal publikisht të sqarojë vizitën”, theksoi një zyrtar i lartë i një partie opozitare në Shkup për agjencinë INA.
Nga ana tjetër, vizita u shfrytëzua nga partia shqiptare deri tani në pushtet BDI, ku zyrtarët e saj pritën presidenten Jahjaga në një nga kafenetë e Tetovës.
Nga Presidenca e Maqedonisë theksojnë se nuk ka pasur asnjë protokoll për të takuar ministren kosovare dhe nuk dëshirojnë që të komentojnë qëndrimin e saj në Maqedoni.
Nga BDI nuk japin hollësi lidhur me takimin, që sipas tyre ka qenë, thjesht, jozyrtar dhe pa ndonjë agjendë të veçantë për t’u bërë e ditur për mediat.
Presidenca e Kosovës bëri të ditur se vizita e Jahjagës ka qenë private. Jahjaga të premten ka mbërritur në Tetovë vetëm pak orë pasi që kishte zhvilluar takime në Prishtinë me presidentin e KE-së, Jose Manuel Barroso..Aktiv