Pse OKB-ja intervenoi në Libi dhe në Bregun e Fildishtë, por jo në Siri


Derisa Egjipti dhe Tunizia kishin kaluar nëpër, siç i quan ambasadori francez në Kombet e Bashkuara, Zherar Aro, “tranzicione të civilizuara”, në rastin e Libisë ai thotë: “Në kufijtë tanë, jashtë Evropës, do të mund të kishim një gjakderdhje të tmerrshme”.
Por derisa Franca dhe Britania, dy anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit, kërkonin intervenim ushtarak, ka pasur edhe kundërshtim nga anëtaret e tjera të përhershme, nga Kina dhe Rusia – të dyja në princip kanë kundërshtuar përfshirjen në punët e brendshme të një shteti sovran. Ndërsa SHBA-ja, tashmë e përfshirë në konflikte në dy shtete myslimane, ka pasur pak dëshirë për një konflikt shtesë. Më pas erdhi kërkesa formale për intervenim të OKB-së nga ana e Ligës Arabe. “Dinamika u ndryshua nga deklarata e Ligës Arabe”, ka thënë ambasadori britanik në OKB, Mark Lajel Grent për “BBC”-në. “Nëse një organizatë rajonale kërkon ndryshim të kursit të veprimit në këshill, atëherë ajo ka ndikim të madh”. Kjo ka qenë e mjaftueshme për të bindur Rusinë dhe Kinën për të abstenuar në vend të përdorimit të vetos ndaj një rezolute për përdorimin e forcës. Kjo gjë ndihmoi që të bashkëngjitet edhe SHBA-ja. Rezoluta u miratua dhe dy ditë më vonë SHBA-ja dhe koalicioni evropian filluan bombardimin e caqeve qeveritare në Libi. Pastaj erdhën pyetjet për perëndimin lidhur me faktin se pse ata nuk kishin ndërmarrë masa për të shpëtuar civilët në një mosmarrëveshje tjetër, e cila ishte duke zgjatur për gati katër muaj.