Nesër raundi i katërt i bisedimeve


Nesër do të mbahet raundi i katërt i bisedimeve Prishtinë-Beograd, ku do të vazhdohen bisedat e temave që ishin në agjendën e raundeve të kaluara. Më 17 dhe 18 maj, në Bruksel, do vazhdojë raundi i katërt i këtyre bisedimeve ku do të bisedohet për regjistrat civilë dhe kadastralë, telekomunikacioni, energjia, vulat doganore, liria e lëvizjes dhe diplomat shkollore. Përveç të tjerash në këtë raund pritet që të bisedohet edhe për trashëgiminë kulturore dhe zbardhjen e fatit të të zhdukurve, ku delegacion prihet nga zëvendëskryeministrja Edita Tahiri. Qeveria e Kosovës njoftoi se edhe në këtë raund sikurse edhe në tri raundet e kaluara të dialogut teknik, delegacioni i Republikës së Kosovës do të shpalosë dhe mbrojë qëndrimet e veta të cilat janë në përputhje me Kushtetutën, ligjet, rezolutën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, si dhe Platformën e Qeverisë së Republikës së Kosovës mbi dialogun teknik midis Republikës së Kosovës dhe Serbisë. Pjesëmarrësit në delegacion janë: Edita Tahiri – Zëvendëskryeministre e Kosovës, Lirim Greiçevci - këshilltar politik i kryeministrit, Dren Zeka - këshilltar i lartë politik i zëvendëskryeministres Tahiri, Arjeta Rexhaj – këshilltare politike e zëvendëskryeministres Tahiri, Edi Shukriu - kryetare e Këshillit për Trashëgimi Kulturore, Vjollca Aliu - Dr. e trashëgimisë kulturore në Ministrinë e Kulturës, Pajazit Nushi - koordinator i Ministrisë së Drejtësisë për të çështjen e të pagjeturve, Gylbehare Llapi - zyrtare nga Ministria e Arsimit, Qemajl Marmullakaj - Zyrtar i lartë për planifikim të politikave. /aktiv