Ndarja, lobim me deputetët serbë


Pas pretendimeve të ngritura rishtazi nga qeveria serbe për ndarjen territoriale të Kosovës, presidenca e Kosovës ka shpeshtuar takimet me deputetë serbë që janë kundër këtij opsioni në parlamentin kosovar. 

Ndërkohë mbetet enigmë mospjesëmarrja e përfaqësuesit të presidencës në delegacionin që po zhvillon bisedimet me Beogradin. 

Presidenca e Kosovës duket se është e angazhuar për të qartësuar qëndrimin e deputetëve serbë mbi ndarjen e Kosovës në lumin Ibër. 

Këshilltari i presidentes Atifete Jahjaga, Ilir Deda, zhvilloi një takim të enjten me deputeten serbe, Rada Trajkoviq, raporton Top channel. 

“Ky ishte vazhdim i një takimi që zonja Trajkoviq ka patur me presidenten e Kosovës dhe ju e dini që ajo është një nga zërat më të fuqishëm kundër ndarjes së Kosovës. Ky është një mesazh drejtuar Beogradit se ndarje të Kosovës nuk do të ketë dhe se askush nuk do të bisedojë për ndarjen e Kosovës”, tha këshilltari Deda ./aktiv