Lunacek merr mbështetjen e Ashton për detyrën në Kosovë

Gazeta austriake “Kurier” shkruan të enjten se eurodeputetja austriake, Ulrike Lunacek, aktualisht raportuese për Kosovën në Parlamentin Evropian, i ka gjasat më të mira në mesin e të gjithë kandidatëve që të emërohet përfaqësuese e BE-së në Kosovë.
Lunacek konsiderohet si ekspertja më e mirë evropiane për çështjen e Kosovës. “Kurier” shkruan se për të konkurruar në këtë detyrë, Lunacek ishte inkurajuar dhe nxitur drejtpërdrejt nga përfaqësuesja e Bashkimit Evropian për politikë të jashtme Catherine Ashton. Një pengesë e vetme e saj është fakti se ajo nuk është diplomate e karrierës, por edhe ky problem ka zgjidhje pasi Ministria e Punëve të Jashtme të Austrisë ka marrë përsipër të zgjidhë këtë çështje, raporton RTK.
Si ministri i jashtëm austriak Mihael Shpindelegger ashtu edhe kancelari austriak Verner Fajmann i kanë deklaruar mbështetjen e tyre në këtë planin e Lunacek. Ajo tashmë ka marrë edhe mbështetjen e ish sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së jashtme, ambasadorit Albert Rohan.
Diplomati i njohur, i cili bashkë me bartësin e çmimit Nobel për paqe, Martti Ahtisaari kishte negociuar statusin e Kosovës, e ka vlerësuar kandidimin e Lunacek për postin e përfaqësueses së BE-së në Kosovë si shumë të rëndësishëm për prestigjin diplomatik të Austrisë.
Aktualisht BE ka dy përfaqësues në dy zyra të ndryshme në Kosovë. Fakti se Kosova ende nuk është njohur nga pesë vende të BE, kërkon që Bashkimi Evropian në Kosovë të ketë një përfaqësues të fortë në Kosovë. Lunacek është tillë, shkruan gazeta austriake “Kurier”.