Sikur të kishte ndodhur sot, aq të freskëta i ka në mendje kujtimet nga tmerret që ka përjetuar së bashku me të burgosurit e tjerë politikë në burgun e Dubravës. Ky është Nait Hasani, dëshmitar okular i masakrës së kryer nga serbët në këtë burg, të ndodhur në maj të vitit 1999.
Ai dhe të burgosurit tjerë (dëshmitarët) që fatmirësisht nga kjo masakër kanë shpëtuar, i njohin në gishta kryesit e kësaj vepre makabre, shkruan gazeta Express.
Më 19 deri më 22 maj të viti 1999 ishin masakruar 130 të burgosur politikë shqiptarë si dhe ishin plagosur më shumë se 300 prej tyre nga numri i përgjithshëm prej 960 vetave.
Tash Nait Hasani, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës në Kuvend, bashkë më ish të burgosurit shqiptarë nuk kanë lënë gjë pa lëvizur që kryesit e kësaj masakre të përballen me drejtësinë. Madje kanë arritur që të fusin në rendin e ditës së seancës së Kuvendit të Kosovës edhe pikën e veçantë për ndëshkimin e krimeve që janë kryer në burgun e Dubravës.
Përveç kësaj, njëra nga veprimet e tjera që ata kanë bërë ka qenë kallëzimi penal i dorëzuar në Prokurorinë e Qarkut në Pejë.
Në këtë kallëzim penal si prova materiale për këtë masakër ata kanë bashkangjitur deklaratat rrëqethëse të të mbijetuarve të masakrës, fotot ekskluzive që kanë siguruar, ku shihen paramilitarët serbë dhe ish drejtues të burgut duke vrarë e masakruar të burgosurit shqiptarë, si dhe dëshmi të tjera.
Kallëzimi penal është bërë në emër të të burgosurve politikë të Kosovës. Pavarësisht kësaj, as Nait Hasani e as ndonjë nga shoqata e të burgosurve kurrë nuk kanë marrë ndonjë përgjigje nga Prokuroria e Pejës në lidhje me padinë që kanë bërë për masakrën e Dubravës.
Kallëzimin penal për përgjegjësit e kësaj masakre ata e kanë bërë ndaj 32 personave, në mesin e të cilëve shumica nga ta janë zyrtarë të lartë të ish policisë, ushtrisë serbe, drejtuesve të burgut, ish të burgosurve të asaj kohe si dhe zyrtarë të lartë të Qeverisë së Serbisë në atë kohë.
Pikërisht në 12 vjetorin e kësaj masakre, kur edhe do të mbahet seanca e Kuvendit të Kosovës, ai ka vendosur që për këtë masakër, me qëllim që kryesit e saj të sillen para drejtësisë, të diskutojnë në Kuvendin e Kosovës.
“Ne do t’i rekomandojmë qeverisë, Ministrisë së Drejtësisë dhe EULEX-it që ata të obligohen që kryesit e kësaj masakre të gjykohen në Gjykatën e Pejës, meqë krimi është kryer në atë rajon”, thotë deputeti i PDK`së.
Në mesin e të akuzuarve janë edhe drejtori i burgut të Dubravës në vitin 1999, Akesandër Rakoqevic, Miodrag Vidic - Miki , komandant i burgut në Dubravë, Branko Komatina mbikëqyrës i pavijonit B , Millosh Stojakovic, komandanti i policisë në Gjurakoc, Bora Vllahovic- Munja, komandant i policisë së Qarkut në Pejë, Dushan Antic, përgjegjës në departamentin ushtarak të kazermës së ushtrisë serbe në Pejë, Danica Marinkovic, gjyqtare hetuese në Pejë, Vladan Bojic, hetues në Pejë, Dragoljub Jankovic, ish ministër i drejtësisë në Serbi, e shumë e shumë zyrtarë e të burgosur serbë në kohën e luftës.
“Të gjithë të akuzuarit në kallëzimin penal sot mbajnë pozita të drejtorëve të burgjeve, gardianëve e zyrtarë të lartë në Serbi”, thotë Nait Hasani.
Tmerri, masakrat dhe gjithë torturimet që kanë përjetuar të burgosurit shqiptarë në këtë burg nuk kanë përfunduar vetëm në burgun e Dubravës. “Në Dubravë kanë prerë e vrarë në mënyrat më barbare. Këtu nuk ka përfunduar tmerri. Torturat, rrahjet e maltretimet kanë vazhduar edhe në burgun e Lipjanit dhe në burgjet e Serbisë nga të njëjtit persona e serbë të tjerë”, rrëfen ai, i bindur se një ditë drejtësia do të vihet në vend edhe për “Guantanamon e Kosovës”.
Kush e mori Ukshin Hotin për herë të fundit?
Sipas Nait Hasanit, një ditë para se të lirohej nga vuajtja e dënimit në burgun e Dubravës, ka qenë Branko Komatina, mbikëqyrës i Pavijonit B në burgun e Dubravës, që ka marrë Ukshin Hotin dhe prej asaj dite nuk dihet asgjë për fatin e tij. “ Ukshin Hoti herën e fundit është parë duke u nxjerrë nga Dubrava nga ky person dhe sot e asaj dite nuk dihet asgjë për të. Branko Komatina, pas arratisjes në Serbi, ishte mbikëqyrësi më i dalluar i të burgosurve shqiptar në Zabella të Pozharevcit”, thotë Hasani.