Kuvendi debaton për masakrën në Dubravë

Kuvendi i Kosovës mban të enjten seancën plenare të radhës. Në këtë seancë ndër të tjera do të shqyrtohet raporti financiar për Buxhetin e Republikës së Kosovës, për vitin 2010, si dhe do të ketë debat parlamentar lidhur masakrën në burgun e Dubravës, sipas kërkesës së deputetit Nait Hasani, me mbështetje të Grupit të deputetëve nënshkrues.

Në seancën e së enjtes po ashtu pritet miratimi i Rregullores për zgjedhjen dhe shkarkimin e Avokatit të Popullit dhe zëvendësve të Avokatit të Popullit, po ashtu do të shqyrtohet rekomandimi i Komisionit për Media për formimin e Komisionit Ad Hoc për përzgjedhjen e anëtarëve të Komisionit të Pavarur për Media.

Do të shqyrtohet Propozimi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës për emërimin e Organit Përzgjedhës të Pavarur, për zgjedhjen e anëtarit në Organin Shqyrtues të Prokurimit Publikë, ndërsa po ashtu në shqyrtim do të jenë disa raporte vjetore të instticioneve të vendit.

Pika e 16-të e rendit të ditës do të jetë debat parlamentar lidhur me bashkëpunimin e Republikës së Kosovës me Interpolin dhe Europolin, sipas kërkesës së deputetit Ramiz Lladrovci, të mbështetur edhe nga deputetë të tjerë.