Kërkon njohje nga Vatikani

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi dhe delegacioni që e shoqëron, në kuadër të vizitës zyrtare në Itali, ka vazhduar takimet me autoritete të larta italiane. Krasniqi të mërkurën zhvilloi një takim të veçantë me Monsinjor Jagodzinskin, zyrtar i lartë i shtetit të Vatikanit.

Kryetari i Kuvendit e njoftoi Jagodzinskin me të gjitha të arriturat në Kosovë. Gjatë këtij takimi, kërkesë e veçantë e kryetarit Krasniqi ishte njohja e Republikës së Kosovës nga ana e Vatikanit.
Jagodzinski, nga ana e tij, theksoi se është shtuar vëmendja për Kosovën dhe se kjo dëshmohet edhe me emërimin e delegatit apostolik për Kosovën nga Selia e Shenjtë. Ai theksoi, gjithashtu, se Vatikani i përcjell me vëmendje zhvillimet në Kosovë dhe shprehu kënaqësinë për arritjet e saj.
Sipas një komunikate për media, një pritje e veçantë, kryetarit Krasniqi i ishte rezervuar edhe nga kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme i parlamentit italian, Stefano Stefani. Duke e falënderuar zyrtarin e lartë të parlamentit italian për pritjen dhe mbështetjen që Italia i ka dhënë Kosovës, kryetari Krasniqi e njoftoi atë me zhvillimet në Kosovë dhe të arriturat e saj.
Nga ana e tij Stefani theksoi se kjo vizitë është një mundësi e mirë për ndërtimin e marrëdhënieve dypalëshe ndërmjet parlamenteve të të dyja vendeve. Ai tha se për Italinë, Kosova është një vend mik dhe se përshpejtimi i procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës dhe integrimi evropian i saj, është interes jo vetëm i Kosovës dhe i Italisë, por i të gjitha vendeve të BE-së Aktiv