Ministri i Jashtëm i Malit të Zi, Milan Roçen i quajti ëndrra të parealizueshme idetë e disa zyrtarëve në Beograd për ndarjen e Kosovës
Duke folur në fund të vizitës së tij në Kosovë, Roçen shprehu mendimin e tij se koha e ndarjeve në rajon ka përfunduar ndërsa tani është koha e proceseve integruese.
Shefi i diplomacisë malazeze qëndroi në Kosovë në vizitën e parë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Ai është takuar me presidenten Jahjaga, kryeministrin Thaçi dhe me homologun e tij Enver Hoxhaj.
Në të gjitha këto takime është theksuar nevoja për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Malit të Zi dhe Kosovës.
Ministri Hoxhaj, dhe homologu i tij malazez, Roçen, janë pajtuar që ngritja e bashkëpunimit ndërshtetëror në nivel ambasadash të realizohet vitin e ardhshëm.
Këto komente dy ministrat i bënë gjatë një takimi që zhvilluan në Prishtinë. Si arsyetim për këtë vendim, ata përmendën parashikimet buxhetore të të dyja vendeve.
Po ashtu ministri i jashtëm i Kosovës e ka njoftuar homologun e tij nga Mali i Zi se komuniteti malazez në Kosovë do të njihet edhe me kushtetutë pas ndryshimeve kushtetuese që do të bëhen vitin e ardhshëm.