
Atifete Jahjaga, presidentja e Kosovës ka pritur sot në një takim Kryeprokurorin e Shtetit, Ismet Kabashi. Ky i fundit ka njoftuar presidenten me punën e prokurorisë dhe me angazhimin e prokurorëve për shtimin e efikasitetit të punës. Sipas Kabashit me shtimin e transparencës të sistemit të drejtësisë në tërësi, ka filluar të rritet besimi i qytetarëve në institucionin e prokurorisë. Nga ana e saj Jahjaga, tha se puna e prokurorisë është e rëndësishme për sundimin e ligjit dhe zbatimin e tij, si dhe kthimin e besimit të qytetarëve në institucione dhe drejtësi. Ajo tha se prokuroria si hallkë e rëndësishme e sistemit juridik është në funksion të vendosjes së marrëdhënieve në shoqëri, meqë duke e luftuar krimin u krijohet hapësirë qytetarëve për jetë të qetë dhe të sigurt. /aktiv