Bunkerizohet qeveria
Kabineti qeveritar “Thaçi 2”, jo vetëm që ende nuk është plotësuar me zëvendësministra, por ai vazhdon që të mos ketë as zëdhënës. Janë bërë gati tre muaj qëkur është konstituuar Qeveria e re, ndërkohë që gazetarët për të marrë një deklaratë duhet të gjejnë rrugë alternative në mungesë të “ciceronit” të ekzekutivit. Kjo qeveri edhe pse në vazhdimësi e ka proklamuar transparencën si sinonim të qeverisjes, në fakt po ndodh e kundërta.
Komuniteti i medies është lënë pa adresë të saktë të orientimit, përkatësisht në mëshirë të ndonjë ministri që në telefonin e tij lajmërohet vetëm kur të jetë i disponuar. Por, nuk është vetëm Qeveria që nuk ka zëdhënës. Hiq më mirë nuk qëndrojnë as ministritë, përkundër zyrtarëve të shumtë që i kanë për medie, të cilët nuk mund të japin as më të voglin prononcim pa lejen e “shefave”.
Në mungesë të zëdhënësit, personi i vetëm që komunikon me gazetarë është zëvendëskryeministri dhe ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, me të cilin shpesh ndodh që të jetë i pamundur komunikimi.
Por, vetë Kuçi mohon se kjo është strategji e qeverisë që duke qëndruar sa më larg nga gazetarët, t’i shmangë edhe debatet por edhe informatat në medie.
“Unë nuk kisha dashtë që ta kualifikoj si ‘qeveri të mbyllur’. Mendoj që qeveria ka tentuar të jetë më e hapur, nuk besoj që ka medie në Kosovë që kërkojnë në përgjigje dhe nuk e marrin atë”, thotë Kuçi, duke shtuar se ka dallim mes përgjigjes që jep qeveria dhe asaj që e dëshirojnë gazetarët.
Ai thotë se ekzekutivi është në kërkim të një personi, i cili jo vetëm se do ta mbrojë me fanatizëm qeverinë, por gjithashtu se është person i pranueshëm për mediet. Kjo, sipas tij, do të bëhet në kuadër të kompletimit të kabinetit qeveritar.
“Po e mendojmë një fazë të shpërndarjes së përgjegjësive në kuptimin e decentralizimit që edhe ministritë veç e veç të përgjigjen ose të japin përgjegjësi për punën që e bëjnë”, thotë ai.
Por kështu nuk mendojnë gazetarët. Njëri nga personat që ka mbi tri dekada përvojë në medie, Halil Matoshi, thotë se qeveria qëllimisht po e neglizhon emërimin e një zëdhënësi, për të qëndruar sa më larg opinionit.
“Është mungesë totale e përgjegjësisë ndaj publikut, shmangie nga transparenca, sepse tekefundit në demokraci, shumë ministri nuk kanë fare zëdhënës por vetë ministri është shumë i afërt për mediet dhe publikun, gjë që nuk vjen në shprehje te Qeveria e Kosovës, e cila në fakt është qeveri e bunkerizuar”, thotë Matoshi.
Sipas tij, është shumë e vështirë për gazetarët që ta bëjnë punën në mënyrë profesionale në një ambient ku qeveria funksionon pa zëdhënës. “Fryma me të cilën qeveriset Kosova është sa më larg publikut, sa më diskrete, aq më e fuqishme”, pohon ai.
Ngjashëm me Matoshin mendojnë edhe pjesëtarët e partive opozitare. Shefi i Grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri, thotë se kur qeveria nuk ka çfarë të thotë, atëherë zgjedh ikjen nga gazetarët dhe ballafaqimi me opinionin.
“Mungesa e zëdhënësit i shqetëson gazetarët dhe qytetarët, ngase së paku nuk e kanë një lidhje që dikujt t’i drejtojnë pyetje. Por, kjo nuk e shqetëson qeverinë, sepse ajo nuk ka çfarë të thotë, e zëdhënësi këtë punë e ka. Transparenca dhe qeveria janë dy gjëra të ndryshme në Kosovë”, thotë Beqiri.
Ndërsa, njëra nga ish-zëdhënëset e KEK-ut, Donika Kada-Bujupi, aktualisht deputete e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, thotë se është e pamundur që një gazetar të kryejë punën profesionale kur i mungon ana tjetër e punës – zëdhënësi.
“Mungesa e transparencës në qeveri është tendencë për ta ngufatur informatën, të mos krijohet plasimi i fakteve tek opinioni. Ne kemi një zëvendëskryeministër dhe ministër të Drejtësisë, që e luan rolin e zëdhënësit. Ai në informata të veta është i pasaktë dhe shumë herë bie në kundërshtim me vetveten, por edhe me vendimet e qeverisë”, thotë Kada-Bujupi.
Buja harron transparencën
Ish-deputeti i PDK-së, Ramë Buja, në legjislaturën e kaluar ka qenë njëri nga personat më bashkëpunues me mediet, por këtë “zanat” ai e ka harruar me t’u bërë ministër. Gazetarët që raportojnë për arsim thonë se janë të befasuar se si Buja ka ndërruar në raport me ta.
“Atëherë lajmërohej pa problem, ndërsa prej se është bërë ministër asnjëherë nuk kam arritur të flasë me të ngase nuk e ngrit telefonin. Nganjëherë lajmërohet asistentja e tij, por ai asnjëherë”, thotë një gazetar në kushte anonimiteti, duke shtuar se, sikurse qeveria edhe Ministria e Arsimit nuk ka fare zëdhënës.