Atifetja merr një femër për këshilltare

Atifetja merr një femër për këshilltare

Më në fund edhe një femër do të jetë pjesë e stafit të këshilltarëve të presidentes se Kosovës, Atifete Jahjaga. Nga 15 këshilltarë, aq sa duhet t’i ketë Presidenca e Kosovës, të martën do t’i bashkëngjitet, Arjana Qosja-Mustafa nga KIPRED.
Burime të “Zërit” kanë bërë të ditur se drejtoresha e Hulumtimeve në KIPRED, të martën do t’i bashkëngjitet stafit të presidentes Jahjaga. Mirëpo, edhe përkundër insistimit të gazetës për të kontaktuar Arianen, ka qenë e pamundur.
Nga ana tjetër, zëdhënësi i Presidencës së Kosovës, Arbër Vllahiu nuk ka dashur ta konfirmojë nëse Ariana Qosja-Mustafa do t'i bashkëngjitet presidencës.
“Jemi në biseda edhe për dy-tre këshilltarë të tjerë”, kanë qenë fjalët e pakta të zëdhënësit Vllahiu.
Ai ka thënë se stafi i presidentes është duke u kompletuar dhe tash kemi tetë këshilltarë profesionistë të lëmive të caktuara dhe një për ndërlidhje ndërmjet Presidencës dhe FSK-së. Sipas tij, me sistematizim të vendeve të punës janë të paraparë 15 këshilltarë të rregullt, pa numëruar këtu këshilltarët e jashtëm që mund të jenë për çështje dhe kohë të caktuar.
“Ka bashkërendim dhe takime të rregullta të stafit të Presidencës dhe të këshilltarëve e stafit civil”, ka thënë Vllahiu.