Në vazhdimin e dëshmisë kundër Fahredin Gashit dhe Hysri Ramës, Nazim Bllaca ka deklaruar të hënën se eprori i tij, Shpresim Uka, i kishte thënë se duhet t’i marrë 1 milion euro dhe ta harrojë denoncimin e krimeve.
“Unë kam thënë m’i jepni 600 mijë euro, unë nuk njoh as EULEX as askënd”, tha Bllaca.
Këtë dëshmi, dëshmitari bashkëpunëtor Nazim Bllaca e ka dhënë në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë kundër Fahredin Gashit, i cili po gjykohet bashkë me Hysri Ramën lidhur me vrasjen e Salih Gashit natën e 15 qershorit 1999.
“Unë e kisha ndërtuar pistën, të cilën nuk mund të ma dëmtonte as Hashim Thaçi. Normalisht, unë kisha kontaktuar me shefin tim, Shpresim Uka. Në takimin e 13 tetorit 2009, në orën 18:00, jemi marrë vesh që qysh javën e ardhshme të më jepen 200 mijë euro”, tha Bllaca.
Për këtë, të nesërmen e kishte njoftuar stafin e EULEX-it. Pranimi i tij që do të bënin punë edhe 600 mijë, tha të mos ketë qenë i vërtetë. “Jo 600 mijë euro, po 600 milionë euro po të m’i jepnin, unë nuk isha tërhequr”, deklaroi Bllaca.
Avokati Kolë Krasniqi e ka pyetur Bllacën se kur për herë të parë kishte vënë kontakt me Gani Gecin.
“Më 10 tetor 2009, ora 13:00. Ditën kur është bërë incizimi i DVD-së. Kurrë më herët s’kam pasur kontakt me të. Geci ka qenë kundërshtari më i madh i grupit që e kam përfaqësuar unë”, tha ai.
- Pse po e mohoni që keni qenë në kontakt me Gecin? - e pyeti avokati Krasniqi. Kësaj pyetjeje Bllaca i është përgjigjur me ironi. “A e ke fjalën për atë kriminelin a patriotin? Mos e përziej Sabit Gecin, kriminelin, me Gani Gecin, i cili ka qenë kundërshtari më i madh i grupit tim kriminal”, tha ai.
Bllaca është pyetur për kontaktet e para që i kishte me KFOR-in finlandez. “Në kontakt kam rënë nëpërmjet një përthyesi. Paralel me organet hetuese të Kosovës kam qenë në kontakt të vazhdueshëm me KFOR-in finlandez, të cilët kanë qenë nën komandën e amerikanëve”, tha Bllaca.
I pyetur se pse më herët kishte thënë se ish-ministri Sasha Rashiq ka ndërmjetësuar me KFOR-in finlandez, Bllaca nuk e ka mohuar këtë fakt. “Nuk po e mohoj, po e di që të duhet ty kjo për patriotizëm”, është përgjigjur Bllaca.
Nazim Bllaca është marrë në pyetje edhe nga i akuzuari Fahredin Gashi. Gashi i ka drejtuar një seri pyetjesh prej kohës kur ishte plagosur Bllaca gjatë luftës, në vitin 1998, ku kishte qëndruar në fshatin Krojmir, në cilën pikë, ku kishte fjetur, etj.
Mirëpo, kur është pyetur se në kohën e plagosjes me kë kishte shkuar në ambulancë, Bllaca ka hezituar të përgjigjej, duke i thënë Gashit se nuk është çështje e tij. Megjithëkëtë, ai është përgjigjur duke hezituar të shpalosë se nga cili aksion ishin kthyer atë natë.
“Në këtë pyetje përgjigjem në ndonjë rast tjetër, nëse do të ketë ndonjë gjykim kundër Fatmir Limajt e Shukri Bujës. Kemi shkuar 16 vetë në një aksion. Ti po mundohesh të ma minosh terrenin tim, po nuk mundesh, kjo nuk është Gjykatë e Hagës, qysh ti me Azem Sylën e keni çuar Ramush Haradinajn”, tha ai.
Bllaca i ka thënë Gashit që për faktin se ku ishin atë natë “pyete ordinerin Azem Syla dhe Fatmir Limajn, ata e dinë”.
“Ne kemi qenë në një atentat terrorist. Po e quaj terrorist, sepse janë vrarë fëmijë të porsalindur”, ka deklaruar Bllaca.
Gjykimi është ndërprerë ngase prokurori ka pasur tjetër rast.