Liberalizimi, në duart e Hungarisë

Presidenca hungareze e BE-së ua ka kthyer përgjigjen tre deputetëve evropianë, të cilët kishin kërkuar fillimin e procesit të liberalizimit të vizave për Kosovën disa ditë më parë. Këshilli i Ministrave mund të thotë diçka rreth heqjes së vizave për Kosovën deri më 30 qershor.
Edhe pse raportuesja e për Kosovën në Parlamentin Evropian, Ulrike Lunacek, raportuesja për liberalizim të vizave në Parlamentin Evropian, Tanja Fajon dhe Hannes Swoboda, kryesues i Komitetit për Punë të Jashtme në PE, Grupi Punues për Ballkanin Perëndimor, kishin kërkuar që ky dialog të fillojë pa vonesa, Ministri i Brendshëm hungarez, Sandor Pinter nuk ka mundur të japë një afat rreth fillimit të këtij procesi me palën kosovare, raporton Telegrafi.
Por, në përgjigjen e Pinterit, të cilën e ka siguruar Express, ka treguar përkushtimin e vendit të tij për këtë çështje.
“Mund t’ju siguroj që Hungaria vazhdon të jetë fuqishëm e përkushtuar që të lehtësojë afrimin e vendeve të rajonit dhe BE”, ka thënë Ministri i Brendshëm i Hungarisë, vendi i të cilit kryeson BE-në në gjashtëmujorin e parë të këtij viti.
Më pas, Pinter ka dhënë një përgjigje ku ka treguar se Këshilli i Ministrave të BE-së mund ta trajtojë liberalizimin e vizave për Kosovën, kur Komisioni Evropian të thotë fjalën e vet rreth procesit të monitorimit të liberalizimit të vizave për vendet e rajonit.
Kjo, sipas ministrit Pinter, mund të ndodhë gjatë Presidencës hungareze, e cila përfundon në fund të qershorit.