“Bechtel & Enka” e ndërton ilegalisht autostradën

Konzorciumi amerikano- turk “Bechtel &Enka”, është duke e ndërtuar ilegalisht autostradën e kombit “Ibrahim Rugova”, pasi që kjo kompani në Kosovë nuk ka leje pune për ndërtim të autostradave.
Edhe pse nuk ka licencë, konzorciumi “Bechtel &Enka” ka përfituar benificione të shumta nga Qeveria e Kosovës, të cilat nuk i kanë as kompanitë vendore që janë kontribuues të rregullt të buxhetit të shtetit.
Kompania “Bechtel &Enka” të gjithë zhavorrin që e shfrytëzon për ndërtimin e autostradës, e të cilin ia faturon Qeverisë së Kosovës, nuk e paguan fare taksa, sepse kjo kompani nga Komisioni për Miniera është e liruar nga ta gjitha taksat, të cilat i paguajnë vetëm kompanitë vendore, por jo edhe konzorciumi amerikano-turk.
Zyrtarë nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë e Kosovës thonë se konzorciumi nuk ka licencë për ndërtimin e autostradave.
“Vendimi nga Komisioni për licencimin e subjekteve ndërtimore për licencimin e kompanisë Bechtel Enka –GP me seli ne Prishtinë, është marrë më 18.03.2011. Kjo kompani është pajisur me licencë ndërtimi konform Udhëzimit Administrativ nr.10/2010, ku kompania është pajisur për të gjitha kategoritë e rrugëve, përpos pikës se autostradës”, thonë zyrtarë të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë të Kosovës.
Sipas të dhënave të licencimit të MTl-së, deri në 18 mars të këtij viti kompania nuk ka pasur asnjë licencë pune në Kosovë.
Edhe Eljesi Surdulli, drejtor ekzekutiv i Shoqatës Kosovare për Ndërtimin e Rrugëve, thotë se në detaje e ka lexuar kontratën mes Qeverisë dhe kompanisë “Bechtel&Enka”.
Sipas tij, çmimet që ka ofruar kjo kompani për njësi, janë dukshëm më të larta sesa çmimet që sillen në treg.
Sipas Surdullit, përpos kësaj, ka disa çështje tjera që ende nuk janë të njohura për publikun. Ai thotë se kompania “Bechtel&Enka” në Kosovë nuk ka licence për ndërtim të autostradave, por ka vetëm leje pune për ndërtim të rrugëve rajonale.
“Në pasi ta analizojmë mirë këtë çështje do të lëshojmë një komunikatë për media. Çmimet e larta që kjo kompani ia faturon Qeverisë e dëmtojnë buxhetin e Kosovës, dhe për këtë unë s’kam më shumë koment, sepse kontrata flet shumë”, tha ai.
Nga ana tjetër, të martën, një ditë pas publikimit të kontratës zëdhënësja e kompanisë “Bechtel&Enka” nuk ka qenë e gatshme të përgjigjet në pyetjet e gazetarëve. Madje si për ironi zëdhënëses së kompanisë nuk i bën fare përshtypje publikimi i kontratës nga lëvizja “Vetëvendosje”.
“Unë kam një marrëveshje me kompaninë dhe nuk dua të hyj në çështje politike dhe të përgjigjëm për çështje komerciale të kompanisë. Ne si çdo ditë tjetër punimet i vazhdojmë pa ndonjë problem, sepse ne kemi një kontratë me Qeverinë e Kosovës, dhe jo me lëvizjen”, tha ajo.
Përndryshe të hënën lëvizja “Vetëvendosje” ka publikuar për herë të parë kontratën mes Qeverisë dhe konzorciumit amerikano turk “Bechtel &Enka”, për ndërtimin e autostradës Morinë –Merdar.
Si e tillë kontrata është tejet e dëmshme për Kosovën, sepse në bazë të saj nuk parashihet çmimi total i autostradës, por pagesa behët me vazhdime, varësisht prej punëve që bën kompania.
Nga ana tjetër, zyrtarë të Ministrisë së Infrastrukturës nuk i kanë mohuar akuzat e lëvizjes, por i kanë kritikuar ata si kundërshtarë të projektit.
Licencë për rrugë, jo për autostrada
“Vendimi nga Komisioni për Licencimin e Subjekteve Ndërtimore për licencimin e kompanisë Bechtel Enka –GP me seli ne Prishtinë, është marrë më 18.03.2011. Kjo kompani është pajisur me licencë të ndërtimit konform Udhëzimit Administrativ nr.10/2010, ku kompania është pajisur për të gjitha kategoritë e rrugëve, përpos pikës se autostradës”, thonë zyrtarë të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës.