Berisha: Kombëtarja në Prishtinë, ëndërr e çdo shqiptari


sh-futbollisti i Kombëtares së Shqipërisë dhe aktualisht i skuadrës gjermane Armenia Bilefeld, Besart Berisha, i cili po i shijon pushimet në Prishtinë, në bisedë për gazetën tonë iu ka bërë thirrje të gjithëve që të angazhohen maksimalisht dhe idenë për ta sjellë Kombëtaren e Shqipërisë në Prishtinë, ta bëjnë realitet.
Përveç kësaj, Berisha ka folur edhe për formën e tij të kaluar të Bielefeld, për rikthim në kombëtare dhe planet që ka për të gjetur skuadrën e re pas largimit të Armenia Bilefeldit në ligën e tretë të Gjermanisë.
“Nuk mund të them se jam i kënaqur me atë që kam treguar viteve të fundit. Kam pasur shumë pak ndeshje dhe e pranoj që kam pritur shumë më shumë nga vetja”, tha në fillim të bisedës, Berisha duke shtuar se ai tashmë ka nisur të mendojë për të kërkuar ekip të ri .
“Nuk e di tash për tash se ku do të jem. Ka interesim edhe nga jashtë Gjermanisë por edhe disa klube brenda Gjermanisë. Kur të kthehem atje do të vlerësoj dhe do të vendos. Në këtë lëvizje që do të bëj duhet të jem shumë i kujdesshëm. Duhet të gjej një klub, ku mund të luaj pasi që me rëndësi është të kem sa më shumë lojë”, tha mesfushori 25-vjeçar. Sa i përket kombëtares, Besarti edhe më tutje e sheh veten pjesë të saj, edhe pse u bë një kohë që nuk është duke u ftuar.
“Të gjitha ndeshjet e kombëtares i përcjell, dhe çdoherë dua të luaj në atë fanellë. Unë gjithmonë kam dhënë maksimumin kur kam luajtur për kombëtaren dhe e ndjej veten pjesë të saj. Shpresoj se do të më vijë prapë rasti të jem pjesë e fanellës kuqezi”, tha Berisha, duke konfirmuar se ai ka pasur kontakte edhe me trajnerin, Josip Kuzhe.
“Kuzhes nuk i intereson në cilën ligë luan. Atij i intereson se sa po luan dhe unë në këtë rast nuk kam pasur shumë ndeshje. Derisa ata lojtarë që i ka thirrur kanë luajtur mirë dhe mendoj se kombëtarja tash për tash është në nivelin më të lartë që ka luajtur ndonjëherë”, vlerësoi biondi kosovar.
Kohëve të fundit në opinion është shumë duke u biseduar rreth asaj që Shqipëria ndeshjet e radhës eliminatore t’i luajë në Prishtinë. Berisha thotë se kjo do të ishte gjëja me e mirë e mundshme.
“Eshtë krenari që kombëtarja kuqezi të luajë në Prishtinë dhe them se është gjë normale që ajo të vijë këtu pasi që është shtëpia e tyre. Kombëtarja ka shumë tifozë në Kosovë dhe ata këtu do të ndiheshin shumë mirë. Unë shpresoj se kjo gjë do të realizohet. Këtu është qyteti i mirë, stadiumi i mirë dhe ai do të mbushej përplot me shikues. Eshtë ëndërr që ta shohim kombëtaren në Prishtinë”, tha Besarti, i cili në karrierën e tij luajti edhe në Bundesligën e Gjermanisë dhe ne Championshipin anglez.
Sa u përket standardeve që duhet t’i plotësojë stadiumi i Prishtinës, Berisha që në karrierën e tij ka luajtur nëpër shumë stadiume në Evropë, mendon se është shumë lehtë që ai t’i plotësojë ato kritere.
“Unë pata një takim me kryetarin e klubit të Prishtinës, Remiz Ejupi dhe e përgëzova për këtë ide. Stadiumi shumë lehtë mund t’i plotësojë ato kritere. Unë them se nëse vjen kombëtarja të luajë këtu, rezultatet do të ishin më të mira, madje edhe kualifikimi në kampionatin evropian do të ishte më i mundshëm”, përfundië Besart Berisha.
Amari motiv për sukses
Besarti tashmë ka një motiv të madh që e shtyn të kthehet në formën më të mirë të tij. Inspirim për këtë i jep djali i tij, Amari, që tash është 11-muajsh. “Pas lindjes së djalit, Amarit, shumë gjëra kanë ndryshuar dhe ai po më jep forcë për të kërkuar sukses. Tashmë gjithçka i kushtohet atij dhe ai është motiv i madh për mua që të kthehem në kulmin e karrierës”, tha Besart Berisha.