Barroso vjen për të kërkuar reforma



Presidenti i Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso do të zbresë të premten në Prishtinë për të sjellë porosi për Qeverinë e Kosovës.
Presidenti i institucionit të BE-së që merret me përmbushjen e kritereve si për procesin e liberalizimit, ashtu edhe për procesin e integrimit, do t’i takojë kryeministrin Hashim Thaçi dhe presidenten Atifete Jahjaga.
Në kryeqendrën kosovare, Barroso pritet që të kërkojë nga institucionet e vendit zbatimin e obligimeve të dala nga raporti i fundit i progresit dhe kryerjen e reformave konkrete, në mënyrë që raporti i ardhshëm që do të publikohet në nëntor të këtij viti të shënojë ndonjë progres, shkruan Koha Ditore.
Barroso pritet që në Prishtinë dhe Beograd t’i japë mbështetje dialogut të nisur mes Kosovës dhe Serbisë.
Kosova është vendi më i izoluar në Evropë, ndërkaq që nuk merr pjesë as në procesin e liberalizimit të vizave, e as në atë të integrimit. Tre vjet pas shpalljes së pavarësisë, vendi që nuk njihet nga pesë vendet e BE-së nuk ka arritur që ta marrë udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave, dhe ende nuk ka marrëdhënie kontraktuale me BE-në.Aktiv