Vjen ‘Paper Phone’, celulari i lakueshëm dhe i hollë sikur letra


Prototipi i kompjuterit të xhepit i cili është i hollë dhe i lakueshëm sikur fleta e letrës, javën që vjen do të paraqitet në konferencën kompjuterike në Vankuver të Kanadasë. Edhe pse bëhet fjalë vetëm për një prototip, kërkuesit shkencorë mendojnë se “PaperPhone” do të mund ta revolucionarizonte tregun e celularëve, duke zëvendësuar ‘smart phone’-t sikur që është ‘iPhone’, transmeton msnbc.com.

“PaperPhone” ka një ekran me diagonale prej 9.5 cm dhe vjen me të gjitha funksionet sikur edhe ‘smart phone’-t tjerë që janë në treg. Shfrytëzon teknologjinë ‘E-Ink’ në mënyrë që leximi i e-librave të jetë sa më i lehtë për sy, por, për fat të keq, nuk është me ngjyra.
Ky celular/kompjuter është aq i hollë, sa që mund të bartet në kuletë. Për fat të keq, për ta blerë një pajisje të këtillë do të duhet të presim të paktën edhe pesë vjet.