Topi: Transparencë dhe shpejtësi

Presidenti, Bamir Topi përmes një deklarate në faqen zyrtarë të presidencës, i ka quajtur zgjedhjet e 8 majit, si një progres në standardet për zgjedhje të lira dhe demokratike dhe ka kërkuar përmbyllje dinjitoze të numërimit.

Aty theksohet se kreu i shtetit vlerëson pjesëmarrjen e lartë dhe sjelljen qytetare.

“Me pjesëmarrjen e lartë dhe sjelljen qytetare, zgjedhësit shqiptarë dëshmuan maturi dhe ndjeshmëri për t’u dhënë të gjithë besimin dhe integritetin e nevojshëm procesit zgjedhor. 8 Maji ishte një ditë normale votimi. Qytetarët e thanë fjalën e tyre, e shprehën vullnetin e tyre, bënë zgjedhjet më të mira për ta. Tani është përgjegjësia politike e administrimit bipartiak të zgjedhjeve, që të dëshmojë vullnet të qartë politik për të respektuar votën qytetare. Çdo vonesë, pengesë apo alibi për të zgjatur mbylljen e procesit të numërimit tërësor të votave është e dëmshme për integritetin e procesit dhe frymën kushtetuese të shprehjes së sovranitetit të popullit”- tha Topi.

Presidenti i u kërkon partive politike dhe përfaqësuesve të tyre zgjedhorë, si dhe institucioneve ligjore, që me transparencë, shpejtësi dhe përgjegjësi të përmbyllin procesin e administrimit të votave. Pasi çdo vonesë është në dëm të Shqipërisë dhe shqiptarëve.