Terim s’e lëshon Canën

Mediat turke kanë raportuar të premten se gjiganti turk, Galatasaray nuk do ta lirojë nga skuadra yllin e futbollit shqiptar, Lorik Cana gjatë afatit kalimtar të verës. 
Në fakt, trajneri i ri i Galatasarayt, Fatih Terim i ka sugjeruar bordit drejtues të klubit që mos ta pranojnë asnjë ofertë të asnjë klubi tjetër për ta liruar mesfushorin kosovar, i cili i mbron ngjyrat e Kombëtares së Shqipërisë. 
Kështu raportonin dje mediat turke, sipas të cilave ish-selektori i Kombëtares së Turqisë në edicionin e ardhshëm llogarit shumë në Canën, të cilin do të mund ta vendosë edhe në mesfushë, por edhe në qendër të mbrojtjes, varësisht prej nevojës. 

“Cana është një futbollist, në shërbimet e të cilit unë do të llogaris në kampionatin e ri”, citohet të ketë thënë Terim. 

Mediat turke vazhdimisht raportonin se Cana gjatë afatit kalimtar të verës do të largohet nga Galatasaray, i cili zhgënjeu në këtë edicion në kampionatin turk, si asnjëherë më parë. 

Andaj, Cana tash e disa muaj ishte bërë objektiv i skuadrës italiane, Lazio. Madje, drejtori gjeneral i klubit turk, Cenk Ergun i kishte thënë të enjten një mediumi italian se bisedimet me drejtuesit e Lazios rreth transferimit të 27-vjeçarit janë në zhvillim e sipër, dhe se në javën e ardhshme kjo çështje do të mbyllet. Por, deklarata e Terimit mund t’ia ndryshojë objektivin Lazios.