Tadic: Vizita e Stefanovicit e përmirëson atmosferën

Presidenti i Serbisë, Boris Tadic tha se vizita e shefit të ekipit negociator serb në Kosovë mund t’i kontribuojë atmosferës në dialogun Prishtinë-Beograd.

“Është mirë që Borko Stefanovic shkon në Prishtinë t’u sqarojë institucioneve të Prishtinës se cilat janë qëllimet e Republikës së Serbisë, të përpiqemi të gjejmë disa qëllime të përbashkëta në tërë procesin e dialogut, i cili nuk është aspak i lehtë”, tha Tadic, njofton Rel.

Ai tha se “është mirë që ndërmjet institucioneve shqiptare në Kosovë dhe shtetit të Serbisë të iniciohet një lloj i dialogut, i cili nuk nënkupton se Serbia e njeh pavarësinë e Kosovës”, por ajo mundëson të zgjidhen problemet e njerëzve në Kosovë.

“Jeta e tyre nuk mund të bllokohet”, tha Tadic, duke shtuar se Serbia nuk do të heqë dorë nga politika e ruajtjes së integritetit të saj, dhe me asnjë çmim nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës.