Serbët i kërkojnë Stefanoviqit ndarjen e veriut


Serbët i kërkojnë Stefanoviqit ndarjen e veriut


Nëse kryenegociatori serb do ta vizitojë Kosovën, ai pritet të përballet me kërkesa gogja vështirë të realizueshme. Jo nga pala kosovare, në mënyrë që ai të futet në territorin e Kosovës, por përfaqësuesit serbë të veriut do t’i kërkojnë atij që në agjendën e bisedimeve të futet edhe çështja e shkëputjes së veriut. Kështu kanë bërë të ditur burime të gazetës nga veriu i vendit.


“Nuk po shohim ndonjë të mirë nga bisedimet e Prishtinës dhe Beogradit. Serbët as që do duhej të bisedonin me institucionet e Kosovës. Por meqë ka ardhur puna ku ka ardhur, ne me këmbëngulje do të kërkojmë nisjen e negociatave për ndarjen e Kosovës”, thotë ky burim serb.
Ai shprehet i bindur se vizita e Stefanoviqit do t’iu sjellë atyre ndonjë të mirë, përkrahje që të punojë në të mirë të tyre dhe në realizimin e kërkesave të tyre.
“Tashmë është e qartë, nuk do t’i pranojmë kurrë institucionet e Kosovës, pavarësisht çfarë thonë zyrtarë kosovarë apo ata po ndërkombëtarë. Të kota janë të gjitha, prandaj e vetmja zgjidhje mbetet ndarja e Kosovës”, vazhdon ky burim.
Për këtë kërkesë të serbëve në veri, nuk flasin zyrtarët serbë, por ata janë të bindur se Stefanoviq do të vizitojë Kosovën dhe do të shkojë ku të dojë.
“Borko Stefanoviq e ka të drejtën të vijë në Kosovë kurdo që ai dëshiron. Për këtë nuk ka diskutim. Unë vetë e kam përkrahur vizitën e tij”, thotë Oliver Ivanoviq, i ashtuquajtur ministër serb për Kosovë në Qeverinë serbe.
Mirëpo, zyrtarët kosovarë thonë se pa marrë leje nga institucionet e vendit, jo vetëm Stefanoviq, por asnjë zyrtar serb nuk mund të hyjë në Kosovë.
“Stefanoviq ende nuk ka marrë leje për vizitë. Nëse nuk kërkon leje, nuk do të lejojmë vizitën e tij në Kosovë”, ka thënë për “Zërin” me këmbëngulje zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi.
Nga ana tjetër, pala kosovare e përfshirë në bisedime është këmbëngulëse se nuk do të diskutohet për çështjen e statusit dhe të integritetit territorial.
“Tashmë e kam bërë të qartë, se asnjë diskutim me Serbinë nuk do të bëhet për statusin e Kosovës. Çdo gjë lidhet vetëm me çështje teknike dhe kështu do të mbetet”, shprehet kryenegociatorja e Kosovës, Edita Tahiri, e cila po ashtu thotë se nëse Stefanoviq viziton Kosovën dhe shpreh dëshirën për ta takuar, ajo do ta takojë.
Ndryshe, Stefanoviq ka paralajmëruar se do të vizitojë Kosovën para raundit të katër të bisedimeve, Prishtinë-Beograd, që do të mbahet mes këtij muaji.
Në raundin e katërt të bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pritet të diskutohet për çështjen e të pagjeturve, trashëgiminë kulturore, kthimin e eksponateve arkeologjike dhe etnologjike, bëjnë të ditur përfaqësues të delegacionit të Kosovës.