PS: PD-ja po bllokon procesin e numërimit

Deputetja e Partisë Socialiste, Mimi Kodheli ka akuzuar Partinë Demokratike se po përpiqet të bllokojë procesin e numërimit të votave.
Sipas PS-së në KZAZ-në 54, në njësinë 10 në Tiranë përfaqësuesit e PD-së nuk kanë firmosur procesverbalët duke u larguar nga qendra e numërimit të votave.

Kodheli sqaron se në njësinë 5 procesi po ecën me ritme të ngadalta pasi sipas saj përfaqësuesit e PD-së po tentojnë ta bllokojnë procesin.

“Aktualisht, në momentet që po flasim, në Njësinë numër 5 në Tiranë, janë numëruar vetëm 27 nga 75 qendra votimi dhe Edi Rama kryeson në këtë Njësi, me 2456 vota. I bëjmë thirrje përfaqësuesve të Partisë Demokratike të mos e bllokojnë procesin e numërimit në këtë njësi, ndërkohë që sigurojmë të gjithë qytetarët e Tiranës se çdo votë e tyre do të numërohet ashtu siç është hedhur në kuti”, tha deputetja e PS-së

Më tej Kodheli i bëri thirrje KQZ-së të marrë masa për funksionimin e çdo hallke të procesit.