Perspektivë evropiane për Kosovën dhe Serbinë?


Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, të enjten shkon në Beograd, ndërsa të premten vjen në Prishtinë për të “konfirmuar përkushtimin e BE-së për perspektivën evropiane të Serbisë dhe Kosovës”.

Po ashtu thuhet gjatë kësaj vizite, Ashton do të shpreh mbështetje për dialogun ndërmjet Beogradit e Prishtinës.
Përfaqësuesja e lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri do të takohet në Beograd me presidentin serb Boris Tadiq dhe shefin e ekipit negociator të Serbisë me Kosovën, Borisllav Stefanoviq.
Catherine Ashton, raportojnë sot mediet e Beogradit, do të sjellë mesazhin se “bashkëpunimi rajonal është fundamental për këtë perspektivë evropiane”, se “dialogu Prishtinë-Beograd është me rëndësi bazike për mënjanimin e pengesave në rrugën drejt Bashkimit Evropian”, dhe se 27-ja evropiane dëshiron që i gjithë Ballkani Perëndimor të ecë përpara në rrugën evropiane, raporton Telegrafi.
“Ne dëshirojmë që të gjenden zgjidhje praktike që mund të përmirësojnë jetën e përditshme njerëzve të zakonshëm”, theksohet në komunikatën e shefes së politikës së jashtme evropiane.
“Njëherësh jemi të gatshëm të ndihmojmë edhe Serbinë edhe Kosovën që të bëjnë përparim”, ka bërë me dije Catherine Ashton, e cila me ministrin e Brendshëm të Serbisë, Ivica Daqiç, do të nënshkruajë një nga marrëveshjet e mbetura ndërmjet BE-së dhe Serbisë.
Ndërkaq, të premten, Ashton arrin në Prishtinë ku do të takohet me kryeministrin Hashim Thaçi, me shefen e ekipit negociues të Kosovës në dialogun me Beogradin, Edita Tahirin etj.