Pacolli takon Presidentin e Francës

Zëvendëskryeministri i Parë, Behgjet Pacolli ka takuar të shtunën burrështetas të vendeve të ndryshme gjatë ceremonisë inauguruese të Presidentit të ri të Bregut të Fildisht. 

“Gjatë kësaj Ceremonie, zv/Kryeministri i Kosovës, z. Pacolli është takuar me shumë personalitete përfaqësuese të vendeve të ndryshme të cilët ishin të ftuar në këtë solemnitet të Inaugurimit të Presidentit, z. Ouattara”, thuhet në një komunikatë të kabinetit të Pacollit. 

“Në cilësinë e Presidentit të Ri, të Bregut të Fildishtë, z. Alassane Ouattara, në një koktej rasti ka falënderuar, veçanërisht, Zëvendëskryeministrin e Republikë së Kosovës, z. Behgjet Pacolli, duke vlerësuar angazhimet e shtetit të Kosovës për prosperitet në drejtim të avancimit të vlerave demokratike si dhe ka kërkuar nga të gjithë burrështetasit e pranishëm, të cilët përfaqësonin edhe vende që nuk e kanë njohur ende Pavarësinë e Kosovës, që të konsiderojnë realitetin e ri të krijuar në Kosovë në mënyrë që të ndërmerren veprime për njohje sa më të shpejta të Kosovës si shtet i pavarur, sovran dhe demokratik”. 

Pas kësaj ceremonie, Zëvendëskryeministri i Parë i Kosovës, z. Pacolli, ka realizuar takime të veçanta me Presidentin e Nigerisë, z Goodluck Jonathan, Presidentin e Rwandes, z. Paul Kagame, Kryeministrin e Kenisë, z. Raila Odinga, Kryeministrin e Kamerunit, z. Philemon Yang dhe përfaqësuesin e Mbretërisë së Marokut, të cilët i ka njoftuar gjerësisht për situatën aktuale, politike dhe ekonomike të Kosovës, duke theksuar angazhimet e institucioneve të Kosovës për avancim të demokracisë, forcim të ligjit, zhvillim ekonomik dhe integrim të vendit. 

“Zëvendëskryeministri i i Kosovës, z. Behgjet Pacolli, ka takuar me këtë rast Presidentin e Francës, z. Sarkozy, Sekretarin Gjeneral të OKB, z. Ban Ki Moon dhe Ministrin e Punëve të Jashtme të Francës, z. Alain Juppe, të cilët ishin të pranishëm në Ceremoninë Inauguruese të Presidentit të Ri të Bregut të Fildishtë”, thuhet në komunikatë.