Mallrat e Serbisë të zëvendësueshme


Nëse vërtet Serbia, Bosnja e Moldavia nuk i pranojnë vulat doganore të Kosovës, pashmangshëm do të përballen me të njëjtën gjë, këmbëngul zëvendëskryeministrja për çështje ekonomike dhe ministre e Tregtisë e Industrisë, Mimoza Kusari-Lila.
Ajo thotë se më mirë do të ishte për këto vende t’i pranonin vulat, por jo që produktet e tyre nuk zëvendësohen. “Mallrat nga Serbia jo që nuk janë të zëvendësueshme, por tregu është i mësuar me to”, ka thënë Kusari-Lila në një intervistë për “AKTIV”
Bizneset shprehin dyshimin që MTI është e vendosur që të çojë deri në fund nismën për zbatimin e masave të reciprocitetit me Serbinë, Bosnjën dhe Moldavinë. A jeni ju të vendosur që ta bëni këtë veprim?
Kusari-Lila: Ne si ministri e kemi bërë publik qëndrimin tonë që deri në gjysmë të qershorit, nëse këto tri vende nuk i pranojnë produktet me vulën doganore të Kosovës do të aplikohen masat e reciprocitetit. Nëse vërtet ato nuk lëshojnë pe, atëherë aplikimi i masave të tilla është veprim i pashmangshëm.
 A ka MTI të dhëna se sa përqind e tregut kosovar varet prej produkteve të këtyre vendeve, e veçanërisht prej Serbisë?
Kusari-Lila: Ministria e Tregtisë dhe Industrisë nuk ka të dhëna të veta për këtë punë, por nëse i referohemi të dhënave të doganave importi në Kosovë ka qenë në masën afro 2 miliardë, ku afro 300 milionë janë mallra nga Serbia dhe 100 milionë të tjera nga Bosnja dhe Hercegovina.
 Nëse definitivsht merren masat e reciprocitetit, si do të përmbushen nevojat e tregut?
Kusari-Lila: Mallrat nga Serbia jo që nuk janë të zëvendësueshme, por tregu është i mësuar me to. Këto mallra që ne i importojmë nga ky shtet, në rast të aplikimit të masave të reciprocitetit lehtë mund të zëvendësohen me produkte nga vendet e tjera, dhe madje kjo nuk është e vështirë që të bëhet as nga importuesit.
Ne kemi diskutuar për këtë punë me importuesit, dhe ata kanë kohë deri në gjysmë të qershorit që të interesohen që furnizimet të bëhen nga shtetet me të cilat nuk do të aplikojmë këto masa.
E mira e së mirës është që këto shtete, që tash nuk i pranojnë produktet tona, t’i pranojnë ato, por nëse ato ngulin këmbë në qëndrimin edhe ne do të çojmë deri në fund zbatimin e vendimit për aplikimin e këtyre masave.
A mendoni se do të ketë rritje çmimesh po u zbatuan masat e reciprocitetit?
Kusari-Lila: Ne jemi duke punuar me importuesit e produkteve bazë, dhe është parë që ata mund të bëjnë fare lehtë zgjidhje që këto produktet t’i importojnë nga vendet e tjera, përpos nga Serbia e Bosnja.
Dihet mirë fakti se nga Serbia kanë hyrë mallra edhe të vendeve të tjera, madje edhe të vendeve të largëta si India, vetëm të paketuara me “Made in Serbia”, pasi që raporti që kemi pasur me këtë shtet deri tash, ka krijuar kosto më të lirë, por po e përsëris edhe që tregu ka qenë i mësuar me produkte të tilla.
Me aplikimin e këtyre masave, më nuk do të jetë më e lirë që të imponohet nga Serbia, prandaj edhe importuesit do të orientohen nga vendet që do të kenë kosto më të lirë.
Megjithatë, ne do të punojmë sidomos me inspektoratin në terren, por s’do mend që dikush edhe mund ta keqpërdorë këtë situatë, por këtë mundësi, me punën në terren do ta minimizojmë.
A ka pasur ndonjë reagim të bizneseve për paralajmërimin e rritjes së bazës doganore për 10%?
Kusari-Lila: Në takimet e zhvilluara deri tani me komunitetin e biznesit, ata kanë ngritur shqetësimin se çmimet e produkteve mund të rriten.
Ka ngritje apo rënie të investimeve të huaja në vend?
Kusari-Lila: Deri tash është shënuar një rënie e lehtë, por kohën e fundit kemi pasur po ashtu një ngritje të lehtë të investimeve të huaja. Kjo ka ndodhur edhe ngase procesi i privatizimit është në përfundim e sipër, dhe astet publike në të cilat ka mundur të investohet kapitali i huaj janë në shterrim. Por në periudhën e fundit ka një ngritje të lehtë, e cila mendojmë se do të shënojë vetëm ngritje, pasi që ne jemi duke punuar në përgatitjen e infrastrukturës së nevojshëm ligjore për lehtësira në bërjen e biznesit.
Jemi duke punuar edhe në ndryshim-plotësimin e strategjisë për biznes, ku përveç politikave që kemi promovuar si qeveri, në kuadër të zyrës së kryeministrit, më saktë të zëvendëskryeministres për çështje ekonomike, është involvuar edhe Agjencia për Promovimin e Investimeve në Kosovë (APIK-u).
Kur do të formohet Komisioni për funksionalizimin e ligjit kundër masave damping?
Kusari-Lila: Formimin e këtij komisioni e kanë nxitur sidomos prodhuesit e vezëve në Kosovë. Ai tashmë është formuar në fillim të muajt maj, ku sipas ligjit, pjesë e tij janë dhe përfaqësuesit e disa ministrive, të cilat lidhen me këtë fushë.
Ky komision është mjaft i rëndësishëm, për të luftuar fenomenin damping, dhe besojmë që shumë shpejt komisioni do të jetë i gatshëm edhe për pranimin edhe të ankesave të tjera dhe të rasteve për hetim.
 Kur do të përfundojë dhe të jetë gati Parku i biznesit në Drenas?
Kusari-Lila: Parku i biznesit është në përfundim të fazës së tretë dhe përfundimtare. Aty, deri tash ka vetëm një kompani të vendosur, kurse të tjerat ende nuk janë vendosur.
Ne kemi dhënë edhe një afat të fundit kompanive që patën fituar në konkursin e fundit për këtë punë, që të fillojnë me vendosjen në park, ose të paraqesin një plan të investimeve dhe vendosjes në hapësirat, për të cilat edhe kanë konkurruar e fituar në konkurs.
Nëse do të ketë kompani që nuk do ta bëjnë asnjërën, atëherë, sigurisht që për vendet e mbetura bosh do të ketë konkurs.