Libri që kushton sa një veturë Ferrari
Milano, 8 maj - Libri i ri i Ferrarit quhet “Official Ferrari Opus” dhe konsiderohet si bibël e veturës së famshme italiane. Ky libër ka 850 faqe dhe 2 mijë foto që tregojnë me imtësi çdo model Ferrari që ka dalë nga fabrika e Maranellos. Në të mund të gjesh dosjet e çdo piloti profesionist që ka drejtuar një Ferrari në Formula 1.Ferrari ka përgatitur 4 botime të këtij libri dhe ai që bie më shumë në sy është “Enzo Diamante”, që do të kushtojë plot 200 mijë euro. Me këtë shumë mund të blesh një Ferrari California.
Ky libër kushton kaq shumë për shkak se kali, që është simboli i Ferrarit, është “vizatuar” me 30 diamantë të bardhë. Të gjithë ata që do e blejnë këtë libër do të marrin pjesë në një shorte, i cili do t’i dhurojë një veturë Ferrari të Formulës 1, me të cilën Michael Schumacher ka arritur fitore të shumta.
Por, do të ketë edhe edicione më “ekonomike” të këtij libri. Versioni “Enzo” do të kushtojë 37 mijë e 500 euro dhe do të ketë firmën e të gjithë pilotëve të gjallë të Ferrarit që kanë dalë kampion me skuderinë e kuqe, transmeton TCH.
Versioni “Cavallino Rampante” do të kushtojë 5 mijë euro, ndërsa versioni “Classics”, që kushton 3 mijë euro, do të ketë firmat e pilotëve aktualë të skuderisë: Fernando Alonso dhe Felipe Massa.